
Jorida Tabaku
Krahas propozimeve për ndryshime ligjore në kuadër të luftës ndaj korrupsionit, deputetja e PD, Jorida Tabaku ka komentuar për mediat situatën kaotike që prej një viti brenda demokratëve.
Tabaku u shpreh se preferon t’i flasë njerëzve, të cilët në këndvështrimin e saj janë të dëshpëruar ndërsa shohin demokratët të konfliktohen mes tyre.
“Jam përpjekur të them mendimin tim pa cënuar askënd. Unë e kam një qëndrim e di kush është rruga për PD. Preferoj t’i flas njerëzve janë të dëshpëruar kur na shohin që zihemi. Dalja me një kandidat do të bëjë të mundur që të mos kemi një copëzim. Kemi 60 bashki të drejtuara sot nga PS. Kush do që do të mirën e PD të mendojë daljen me kandidat të përbashkët.
Nuk kam asnjë dilemë për pozicionin që kam patur. Jam pjesë e grupit PD që drejtohet nga Alibeaj Nuk i hyj diskutimit si u zhvilluan primaret. Edhe sot ka mekanizma për të parë cili mund të jetë kandidati më i mirë, mund të bëhen sondazhe. Besoj se nëse ka vullnet politik çdo gjë zgjidhet.” u shpreh Tabaku.
Deputetja e Partisë Demokratike, shprehet se u ka kërkuar deputetëve të opozitës dhe mazhorancës që të votojnë projektligjet që ajo paraqiti ditën e djeshme lidhur me Koncesionet dhe investimet strategjike.
Tabaku thotë se këto propozime bazoheshin në rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë personale sa i takon koncesioneve të firmosura nga një person që mban post publik.
Mes këtyre propozimeve ishte edhe skualifikimi nga gara për tender e kompanive të regjistruara offshore.