Ekonomi 2 Dhjetor 2022, 19:24

18 mijë euro gjobë për “Albpetrol”/ Neglizhencë në sigurinë e të dhënave, lë “zbuluar” subjektet

Shkruar nga Pamfleti
18 mijë euro gjobë për “Albpetrol”/ Neglizhencë

Shoqëria “Albpetrol sh.a” është gjobitur me 2.1 milionë lekë apo 18 mijë euro gjobë për shkak të abuzimit dhe neglizhencës për garantimin e sigurisë së të dhënave personale që përpunon, ku përfshihen një numë ri lartë subjektesh. Vendimi është marrë nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ku detajohen edhe shkeljet e gjetura në këtë shoqëri.

Konkretisht në vendim thuhet se “kontrolluesi nuk ka marrë masa në lidhje me hartimin e  rregullores “Për mbrojtjen, përpunimin, ruajtjen dhe sigurinë e të dhënave personale” në përputhje me veprimtarinë dhe proceset përpunuese që kryen.

Në këtë pikë, Zyra e Komisionerit vlerëson se, hartimi i kësaj rregulloreje, në të cilën të parashikohen rregulla dhe procedura organizative specifike mbi mënyrën e përpunimit të të dhënave personale (për çdo kategori subjektesh), sigurinë e të dhënave, konfidencialitetin, afatet e mbajtjes së të dhënave, nivelet e aksesit etj., konsiderohet një detyrim shumë i rëndësishëm sipas ligjit në fuqi, pasi shmang pasojat e rënda që mund të vijnë për subjektet e të dhënave.

Po ashtu, vendimi del në përfundimin se “kontrolluesi nuk ka ndërmarrë masa konkrete në kuadër të trajnimit të punonjësve që kanë akses dhe përpunojnë të dhëna personale lidhur me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe të plotësimit të detyrimeve në lidhje ngritjen, administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit së sigurisë së informacionit (SMSI)”.

Komisionerit vlerëson se, për shkak të cilësisë si subjekt përpunues i madh, si dhe për shkak të natyrës së veprimtarisë që ushtron, e cila kërkon masa të shtuara teknike dhe organizative për garantimin e sigurisë së të dhënave personale, Kontrolluesi, është i detyruar të krijojë, mirëmbajë dhe administrojë SMSI në përputhje me parashikimet e ligjeve në fuqi.

Shkelje të tjera lidhen me mos parashikimin e afateve konkrete kohore, mbi përcaktimin e kohës së ruajtjes së të dhënave personale për kategoritë e subjekteve të të dhënave si dhe mosinformimi i subjekteve të të dhënave personale në faqen online të internetit përmes politikave të privatësisë. /Scan Tv

Ekonomi Albpetrol gjobe