Politike24 Janar 2023, 18:32

“21 Janari”/, Bedri Islami: SPAK duhet të thërrasë të parët Ramën dhe Berishën

Shkruar nga Pamfleti
“21 Janari”/, Bedri Islami: SPAK duhet të thërrasë

Analisti Bedri Islami deklaroi se nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkon që të jetë e besueshme për çështjen e 21 janarit, fillimisht duhet të thërrasë organizatorët e saj, duke përfshirë kryeministrin aktual, Edi Rama, i cili asokohe ishte kryetari i opozitës.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Islami u shpreh se është gjithashtu e domosdoshme që të thirren, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi.

Unë mendoj se nëse SPAK-u duhet të kryejë detyrën e vet me paanësi, duhet ta marrë këtë çështje, shumë më tepër seriozisht se çdo çështje tjetër. Unë, personalisht, mendoj që nëse do të gjejë rrugën e zgjidhjes, SPAK-u që të jetë i besueshëm, duhet të thërrasë organizatorët e protestës. Edhe aktet e dhunës, pavarësisht se ka pasur dënime, janë 100 të dënuar, përsëri klasa politike në Shqipëri nuk duhet të niset me politikë fokloriste.

Duhet të thirren patjetër. Është e domosdoshme. Duhet të thirret kryeministri i kohës, ministri i Brendshëm, komandanti i Gardës, por duhet të thirret edhe Drejtori i Policisë. Ka shumë gjëra që duhen hetuar. Është një kompleks i gjerë i njerëzve që duhen hetuar. Duhen pyetur edhe deputetë të shumicës që kanë qenë në radhën e parë të protestës, për njerëzit që kanë thirrur, për organizimin, çfarë qëllimi kanë pasur. Të sqarohet çështja”, theksoi ai.

Politike 21 Janari Berisha Islami Rama