Aktualitet 2 Nëntor 2018, 16:43

21 Janari/ Bënë krim ata që vranë, po bëjnë krim këta që po i fshehin

Shkruar nga Pamfleti
21 Janari/ Bënë krim ata që vranë, po bëjnë krim

21 Janari/ Bënë krim ata që vranë, po bëjnë krim këta që po i fshehin

Gati shtatë vjet nga ngjarja e tragjike e 21 janarit, kur para selisë se qeverisë Berisha, rojet e gardës vranë katër protetsues të opozitës së majtë. Socialistët në atë kohë ishin në opozitë dhe Edi Rama premtoi se do të bënte drejtësi për viktimat. Të njëjtin premtim bëri gjatë çdo vit përkujtimi, por ende nuk ka ndodhur asgjë.

“Drejtësia për 21 janarin mund të vonojë, por nuk do të harrohet dhe qeveria jonë pavarësisht se ka bërë sa të jetë e mundur për të lehtësuar jetën tuaj të përditshme do të vazhdojë të bëjë duke njohur përgjegjësinë për krimin e shtetit”, shprehej Rama në një nga deklarat e tij.

Tashmë prej më shumë se një mandati në pushtet, Kryeministri e di që familjarët e 4 viktimave kërkojnë ende të vërtetën, por ajo që pritet të marrin janarin e ardhshëm është një titull nderi më shumë, shoqëruar me një kontribut modest financiar të përmuajshëm siç ua mundëson edhe ligji i ri i miratuar  së fundmi për Dëshmorët.

Ligji i ri rendit disa kritere për përfitimin e këtij statusi, ku mes të tjerash, në Nenin 5, gërma LL, theksohet se mund të shpallen Dëshmorë të Atdheut edhe “shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë, për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. Ky përkufizim i ri i hap rrugën shpalljes së Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës si Dëshmorë të Atdheut, përsa kohë është faktuar edhe në proces gjyqësor se ata ishin të paarmatosur.

Të vrarët e 21 janarit nuk ngrihen më, edhe nëse fajtorët do të dënohen, por shpirti i tyre mund të jetë më i qetë nëse përmes ndëshkimit do të kishte ardhur mesazhi i mospërsëritjes së krimit. Sepse një krim që nuk dënohet, përsëritet.

 21 Janari është një krim i rëndë.  Bënë krim ata që vranë, po bëjnë krim këta që po i fshehin. Ndaj është urgjente që dosja të hapet, të rihetohet dhe përgjegjësit të shkojnë pas hekurave. Vitet kalojnë dhe mjegulla dendësohet, por kurrsesi nuk mund të mbulohen nga harresa 4 viktima të pafajshme./Pamfleti

 

 

 

 

Aktualitet 21 Janari