
27 ditë në luftë/ Presidenti Biden: Putin me 'shpatulla pas murit', ukrainasit po rezistojnë!
Prej 27 ditësh, Ukraina po përballet me forcat ruse që po tentojnë të pushtojnë vendin, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armë biologjike dhe kimike në fqinjin e saj lindor.
Megjithatë Biden thotë se tashmë presidenti rus Vladimir Putin “është më shpatulla pas murit, pasi ukrainasit po rezistojnë.”
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar forcat ruse janë “bllokuar në Ukrainë”, ndërkohë që Mariupoli po përpiqet në maksimum për të mos iu dorëzuar rusëve. Në qytetin jugor, shkatërrimet janë të pa llogaritshme.
Një ditë më parë, janë evakuuar 8.000 persona nga zonat e konfliktit, sipas zyrtarëve në Ukrainë.
Ndërkohë nga ana tjetër Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka theksuar se shteti i tij nuk do t’iu nënshtrohet ultimatumeve nga Rusia, pasi Moska ka thënë se do t’iu mundësojë banorëve të Mariupolit që të ikin, nëse Ukraina dorëzon qytetin. Zelensky sërish ka kërkuar bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, duke theksuar se lufta nuk mund të mbarojë nëse ata nuk takohen ballë për ballë.
Ndërkohë një medium rus ka publikuar një material, në të cilin është thënë se numri i rusëve të vrarë në Ukrainë është rreth 10,000 dhe se mbi 16,000 ushtarë janë të plagosur. Më vonë ky medium ka fshirë materialet dhe ka thënë se ka qenë viktimë e hakimit.