Aktualitet20 Gusht 2022, 19:43

3 muajt e fundit të Arben Krajës në SPAK: mos paçim më drejtues “kanarinë” në kafazin e mafies

Shkruar nga Pamfleti
3 muajt e fundit të Arben Krajës në SPAK: mos paçim

3 muajt e fundit të Arben Krajës në SPAK: mos paçim më drejtues “kanarinë” në kafazin e mafies

Profil i banorit të vilës te kompleksi “Lura” i mafiozit Dod Doçi në Lalz. Kryeprokurori i SPAK nuk guxoi të hetojë Irfan Hysenbelliun e Luan Bregasin, të cilët kanë fshehur 11 milionë Euro detyrime fiskale; nuk guxoi të hetojë as trafikantin Trifon Murataj të “Bana King”, as dyshen Viktor Ndoci e Ylli  Braka, që po ndërtojnë kulla me miliona kokaine në qendër të Tiranës…

Në muajin nëntor 2022, fillon procedura për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ndërsa Arben Kraja dorëzon kolltukun, të cilin po e lakmojnë dy prokurorë: një kushëri i shefes së dosjeve Gentiana Sula (Mara) dhe një bashkëfshatar e kushëri Braho i Ilir Metajt nga Skrapari.

Në afro 3 vite mandat në detyrë, Arben Kraja ka lënë vetëm këtë gjurmë si kryetar i SPAK: ka marrë 180 milionë lekë pagë në total, janë shpenzuar 21 milionë siguracione e 344 milionë lekë shpenzime për makina, karburant dhe 9 truproje personale e familjare “non stop”.

Edhe këto 3 muaj që i kanë mbetur duke tundur çelësat si drejtues, Arben Kraja, do bëjë “nani-nani” si gjatë 3 viteve, jo se nuk di të pikasë, zbulojë, izolojë e godasë krimin, sepse ai di e madje shumë, mbasi ka pëvojën si ish-hetues i diktaturës. Por ai nuk veproi, sepse nga katër familjet mafioze, u përzgjodh për të mos prekur në nivele të larta shtetërore ku është “koka” e krimit dhe e korrupsionit, të cilët nga varfanjakë, janë bërë “sheikë” vetëm duke u marrë me politikë.

Mund të thuhet, se gjatë mandatit të Arben Krajës, janë arrestuar Lefter Koka e Alqi Bllako, mirëpo edhe më naivi e ka kuptuar, se këto ishin arreste të “prenotuara”; pra, të kalkuluara mes kupolës mafioze politike e shefit të SPAK, që të mos prekeshin xhagajdurët e vërtetë të landfilleve.

Se po të ishte ndryshe, Lefter Koka që SPAK e kishte njoftuar 1 muaj para, nuk do t’i priste prangat duke pirë verë mbi shilarësin te ferma e tij në Durrës; dhe as Alqi Bllako nuk do kthehej nga rruga e arratisë, pa iu dhënë garancia nga kompetentët. Por do ishin ‘arratisur’ nga Rinasi, si Klodian Zoto, Mirel Mërtiri  e Stela Gugallja, të cilët vetë SPAK, i njoftoi 1 javë para 14 dhjetorit të urdhërarrestit.

Në fjalimin e dorëzimit të detyrës, Arben Kraja mund ta përmendë si “arritje” procedimin e ish-shefit Adriatik Llalla, por nuk mund të quhet arritje, për dy fakte: nuk e prangosi para gjykimit, ndërsa 1 javë para gjyqit nuk vendosi mbikëqyrje fizike, me qëllim që ta linte të arratisej.

Të vetmet “arritje të mëdha” të Arben Krajës në këto 3 vite drejtim të SPAK-ut, janë këto:

– Arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe, pse nuk ishte treguar “vigjilent” për 1 tender kanali 24 milionë lekë, kur 1 vit pas Tushes, me këtë kanal vodhi 3.5 milionë Euro drejtori Dritan Agolli i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

– Hetimi 2 vjeçar për kombajnerin Bektash Dinga nga Kuçova, me akuzën e fshehjes së të ardhurave, duke mos lëshuar kupona tatimorë për korrjen e grurit në fshatra.

Kryeprokurori Kraja nuk arrestoi Irfan Hysenbelliun e Luan Bregasin, të cilët me “Birra Tirana”, kullat dhe resortet, kanë fshehur 11 milionë Euro detyrime fiskale; dhe as trafikantin Trifon Murataj të “Bana King”, as dyshen Viktor Ndoci- Ylli  Braka që po ndërtojnë kulla me miliona kokaine në qendër të Tiranës.

Ndërsa mafiozi Dod Doçi, ka fshehur 4.3 milionë Euro detyrime fiskale dhe ka grabitur 23 hektarë truall, pronë shteti, buzë detit, ku ka ndërtuar komplekset “Lura” në Lalz, në njërin prej të cilëve ka marrë vilë dhe Arben Kraja.

Shefi i SPAK, nuk ka firmosur urdhër hetimi e arresti për ministrat dhe zyrtarët e lartë kupolë korrupsioni, si Ëngjëll Agaçi, Ilir Beqja, Olta Xhaçka, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, Bledi Klosi, Ogerta Manastirliu, Lindita Nikolla, Genc Pollo, Mirela Kumbaro, Ridvan Bode, Genc Ruli, Edmond Haxhinasto, Ardi Veliu, Edmond Panariti, Petrit Vasili e disa kryebashkiakë.

Prej 3 vitesh, shqiptarët kanë pritur që minimalisht, hetimi të fillonte për Sali Berishën e Ilir Metajn, por shefi i SPAK, as në intervistën te “Zëri Amerikës”, nuk guxoi t’u përmendë emrat.

Deri tani, Arben Kraja nuk i ka lejuar vartësit prokurorë, të hetojnë në resortet e Himarës, Farkës, e Lalzit, megjithëse ka prova se atje ka dy çeta kriminale: ata që i kanë ndërtuar me para të pista dhe ata që i kanë blerë me para korrupsioni, kokaine, prostitucioni e vrasjesh me pagesë.

Pas  largimit nga detyra të banorit të vilës te kompleksi “Lura”, mos paçim më, SPAK me drejtues “kanarinë kafazi”, si ky që do kemi dhe këto 3 muaj./Pamfleti

Kryesore #3 muajt e fundit të Arben Krajës në SPAK #mos paçim më drejtues “kanarinë” në kafazin e mafies