PSG fitoi Superkupën e Francës duke mposhtur me shifrat 2-1 Olimpikun e Marsejës. “Le Classique” këtë herë ishte më pak i qetë krahasuar me ndeshjen e 13 shtatorit në kampionat, kur futbollisti i PSG, Nejmar dhe ai i Marsejës Alvaro u konfliktuan në fushë, me brazilianin që e goditi me shpullë pas koke. Edhe këtë herë dyshja shkaktoi debat, por jo në fushë, dy lojtarët gjetën momentin të thumbonin njëri-tjetrin në rrjetet sociale.
Mbrëmë pas ndeshjes Nejmar postoi një foto në Tuiter ku shkroi: “Ti je Alvaro, apo jo?”. Nuk vonoi shumë as përgjigja e mbrojtësit. “Prindërit më kanë mësuar t’i hedh plehrat”, shkroi mbrojtësi i Marsejës.
Nejmar e vazhdoi zënkën në distancë dhe shkroi: “Ti ke harruar si ngrihen trofetë”. Alvaro e vazhdoi zënkën duke e lidhur këtë herë me Pele. “Ti do mbetesh gjithmonë në hijen e mbretit (Pele)”. Nejmar e ktheu sërish përgjigjen. “Ti do jesh nën hijen time, të bëra të famshëm. Je i mirëpritur ‘Fenomen’”, shkroi braziliani, duke mbyllur kështu bisedën publike me Alvaron.