Bota28 Nëntor 2022, 18:08

50 deputetë konservatorë letër kryeministrit britanik: Refuzoni azilkërkuesit shqiptarë

Shkruar nga Pamfleti

Kohët e fundit ka patur shumë debate sa i përket ligjit të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar. Si rrjedhojë, rreth 50 deputetë konservatorë të parlamentit britanik i janë drejtuar kryeministrit për ndryshime, sipas Reuters. 

Ndër ndryshimet që duan të ndodhin ata përmendin edhe Shqipërinë, pasi kërkojnë që shqiptarët tu refuzohet menjëherë kërkesa për azil.

Po ashtu kërkohet të kthehen prapa azilkërkuesit të cilët përmendin “Skllavërinë moderne” si arsye për largimin nga vendet e tyre.

Deputetët konservatore, propozues të këtyre amendamenteve thonë se një ndryshim “i thjeshtë” në ligj mund të lehtësojë krizën aktuale.

“Kjo masë e drejtpërdrejtë dhe e zbatueshme ligjërisht do parandalonte  fort ata që mund të planifikonin kalimin e La Manshit drejt Britanise”, thuhet në dokumentin e paraqitur kryeministrit dhe kreut të konservatorëve Rishi Sunak.

Kritikët e planit theksojnë se statistikat e fundit tregojnë se 51 për qind e kërkesave për azil nga shqiptarët janë pranuar.

Duke folur javën e kaluar, ministrja Suella Braverman pranoi se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka dështuar të kontrollojë kufijtë e saj, duke fajësuar emigrantët dhe kontrabandistët e qenieve njerëzore për kaosin e fundit në kampet e azilkërkuesve.

Britania dhe Franca arritën zyrtarisht një marrëveshje për kontrollin dhe frenimin e emigrantëve të jashtëligjshëm, ku Parisi ka premtuar shtimin e patrullave në brigjet e kanalit  “La Mansh”.

Bota Azil Britani e Madhe shqiptarë