Aktualitet 5 Shkurt 2022, 14:14

6 marsi, PD ankimon regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”: E dorëzoi kërkesën jashtë afatit ligjor!

Shkruar nga Pamfleti

6 marsi, PD ankimon regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”: E dorëzoi kërkesën jashtë afatit ligjor!

Lulzim Basha shihet “i etur” për një përballje ‘tek për tek’ me Ramën në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Një gjë e tillë është vënë re qartë edhe nga vendimi më i fundit i Partisë Demokratike, e cila ka depozituar në KAS ankimimin për shfuqizimin e regjistrimit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Përmes juristit Marash Logu, PD ka kërkuar rrëzimin e regjistrimit të koalicionit, me arsyetimin ligjor se në përmbajtje të kërkesës dhe marrëveshjes ka referenca të qarta ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë, “e cila për asnjë moment dhe në asnjë rast nuk ka shprehur vullnetin apo dëshirën për të qenë pjesë e një koalicioni të tillë”.

Kjo iniciativë e PD-së, e ndërmarrë pavarësisht se KQZ la jashtë koalicionit “Shtëpia e Lirisë” Komisionin e Rithemelimit, në optikën e përgjithshme, është një tregues i qartë se për herë të parë pas 5 muajsh, kreu i PD-së Lulzim Basha është i gatshëm të shkojë një betejë përtej Berishës.

Tashmë që Sali Berisha mund të konsiderohet jashtë loje në garën për lokalet e 6 marsit, PD përmes rrugëve ligjore ka vendosur t’i jap atij goditjen e fundit, duke i hequr kësaj “kufome politike” shancet e ringjalljes. Bllokimi i rrjedhjes së votave të demokratëve (me asistencën e Berishës), në të kanale të tjera dytësore brenda opozitës si: LSI apo PDK. Kështu, PD i parashtron KAS 3 argumente të forta.

Së pari, kërkon që të sqarohet çështja se në koalicionin “Shtëpia e Lirisë” Komisioni i Rithemelimi të Berishës është prezantuar si Partia Demokratike. Ndërsa thekson se vendimi i KQZ për të ndërhyrë në përmbajtjen e kërkesës së LSI për regjistrim, duke përjashtuar nga regjistrimi Komisionin e Rithemelimit, nuk e parashikohet në ligjin zgjedhor.

Partive që kërkon koalicioni u mungon legjitimiteti, thuhet në ankimimin e PD-së, për këtë arsye duhet shfuqizuar vendimi i Ilirjan Celibashit për të njohur koalicionin LSI-PDK.

“Komisioneri ka vendosur pranimin e kërkesës dhe regjistrimin e saj, duke ndërhyrë dhe duke ndryshuar vullnetin e kërkuesit. Pra ndryshe nga sa thuhej në kërkesë për subjektet pjesëmarrëse në koalicion, Komisioneri ka vendosur regjistrimin e një koalicioni vetëm me dy prej tyre, duke vepruar në fakt në tejkalim të kompetencave të tij. Ligji zgjedhor autorizojnë Komisionerin vetëm të vendosë pranimin ose rrëzimin e një kërkese, jo të ndërhyjë në përmbajtjen e saj apo të marrëveshjes së koalicionit.”- argumenton PD.

Së dyti, kërkesa për regjistrimin e koalicionit u bë jashtë afateve ligjore.

‘Komisioni Rregullator ka përcaktuar qartë afatin për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve, 24 ore pas miratimit të kërkesave të partive politike, që përkon me datën 03.02.2022. Ne këtë datë, asnjë subjekt zgjedhor nuk ka paraqitur kërkesën për regjistrim si koalicion zgjedhor. Në këtë kuptim, kjo kërkesë është bëre jashtë afatit ligjor”, thuhet në ankimim.

Dhe së treti, sipas PD marrëveshjes së “Shtëpisë së Lirisë” i mungon edhe një tjetër element i rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e numrit të kandidatëve nga secila parti politike.

“Në kushtet kur subjekti “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” është përjashtuar nga marrëveshja, mbetet e paqartë se cila parti politike do te propozoje kandidatet e koalicionit”, shkruan PD.

Si përfundim, indikatorët tregojnë se Basha po përpiqet t’i japë fund, të paktën përkohësisht, jo vetëm luftës së brenda llojit, por edhe opozitës, dhe të përqëndrohet qetësisht tek zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, megjithëse do të jetë një betejë e vështirë.

PS: Nisur nga deklaratat e kreut të qeverisë në medie, a po kërkon Basha të përdor këtë “matje muskujsh” vetëm për vetëm me Ramën, si një instrument për të fituar legjitimitetin politik si kreu i opozitës, i cili- sipas kreut të socialistëve- kaq shumë i mungonte?!

Gjasat janë të mëdha…


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Forum #6 marsi #shtepia e lirise PD