Editorial25 Nëntor 2022, 09:37

 7 “kinezë” + Saliu + Erion Veliaj + Yuri Kim = 2

Shkruar nga Pamfleti
 7 “kinezë” + Saliu + Erion Veliaj + Yuri Kim = 2

 7 “kinezë” + Saliu + Erion Veliaj + Yuri Kim = 2

Saliu, shofer i Pallatit të kinezëve i ngjan Saliut demokrat të hanit të Hasan P*ordhës, aq sa kinezi kinezit në tregun kinez.

Shkruan Sokol Pepushaj

Tregu kinez, ka veç kinezë… Ka shitës, jo blerës. Njëri, me çantë shpine në dorë, ka edhe “hartën” në dorën tjetër. Ramadani, kërkon dyqanin me këpucë të Gim Lim për furnizim me shumicë.

Të tjerët, kalojnë permes tezgave që ka montuar dikur Edi Rama drejt me sy nga Gim Limi i vet.

Kinezët ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, sidomos, këtu në tregun kinez. Edhe blerësit shqiptarë po ashtu, saqë, kinezi Gim Lim, edhe pse i kalon aty Ramadani i vet, i bën sytë ‘katër’, dhe e ngatërron me Xhemalin e Lu Gu.

Kur ndërtohej tregu i kinezëve, kështu kishte vuajtur edhe ish kryebashkiaku, sot Babloku.

Ngatërronte çelësat e pallateve të 20 për qindëshave të lejeve të ndërtimit, saqë opozita ngriti komision parlamentar.

Ju e mbani mend si i shfletoi dosjet ‘një për një’ komisioni “Olldashi” e ky doli fyell fare, më i varfër se çdo kinez që priste radhën për një tezgë.

Edi Rama aso kohe nuk kishte as shtëpi, as katandi, veç 3000 euro që janë si provë për SPAK-un në formularin e deklarimit të pasurive për zyrtarët.

Normale, nuk bëhet para me rroga shteti.

Prandaj edhe i ngjajnë njëri-tjetrit të gjithë.

Jo vetëm fukarenjtë apo hajdutët, por edhe kombet, racat, përngjajnë në doke, zakone, tipare…

Ja, ai djali që i pati shkruar letër në facebook ambasadores Yuri Kim, nuk kishte asnjë faj. Nuk do ta bënte, por e kishte ngatërruar me atë shitësen që jep mall me shumicë tek tregu kinez, këtu në Tiranë, afër atij spitalit, ku qe vrarë Qemal Stafa, një trim nga të malit.

Ah po, edhe kinezja e njeh muzikën, historinë, malet, Skënder Beun, fushat, resurset, Edi Ramën, por nuk i çahet marmida ç’je ti, intelektual, kriminel, gazetar, hajdut, a çka je? Ajo të shërben sipas interesit, se për punë, për para ka ardhur këtu. Pastaj, si fiton më shumë se në vendin e vet, bën takime, foto, ha dreka e darka dhe i fton “klientët” në “Shtëpinë e Verdhë” në Kinë.

Ç’doni më tepër?

Ah po, edhe në Shkodër ka një “Pallat kinezësh”. Ata që nuk e dinë, i ndihmojmë.  Ngjitur me hanin e Hasan “P*rdhës” është. Si pallati, si hani kanë historitë e veta.

 Historia e pallatit.

50 vjet më parë, një shofer, Sali quhej, çdo mëngjes merrte 7 kinezë, i çonte tek puna në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe i sillte në darkë.

Meqë jemi edhe në mes të shkrimit, portat e këtij hidrocentrali i hapi Edi Rama këto ditë, për të përmbytur Shkodrën dhe pritshmëritë për “Peshq” të Mëdhenj.

Saliu, shofer i Pallatit të kinezëve i ngjan Saliut demokrat të hanit të Hasan P*ordhës, aq sa kinezi kinezit në tregun kinez.

Nje ditë nëntori si kjo, e vitit 1972, në orën 6.30 të mëngjesit, shofer Saliu ngatërroi 7 kinezët me 7 të tjerë. Ndaloi mikrobuzin, u bëri shenjë të hipin dhe i zbriti në oborrin e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Ata menduan se vellai shqiptar i çoi për eskursion, ndaj e falenderuan, por përgjegjësi, që i priste çdo ditë specialistët kinezë, bëri një si hinkë tek buzët dhe thirri, o Sali, kthehu mbrapa.

Pasi futi marshin mbrapsht dhe eci aq sa duhej, e pyeti, ç’ke, apo don me ardhë për Shkodër?!

-Jo, jam në punë, po dua kinezët, ku i ke kinezët Sali?

-A i sheh, sapo i zbrita.

-Nuk janë këta kinezët tanë o Sali.

– Bo bo sa ngjajnë, paskam marrë 7 kinezët e Uzinës së Telave.

-Hajt Sali, nuk u bë nami, -foli përgjegjësi që numëronte kinezët.

Ja edhe historia e Hanit.

Sot “shoferi” i opozitës ka ndezur motorët drej bashkisë së Tiranës. Sali quhet edhe ky dhe fiks 7 kandidatë ka me vete. Meqë i ngjajnë njëri-tjetrit, u ka vënë foto në makinë.

Kaq bëri Saliu, i shpërndau tek puna dhe u nisë për punët e veta, por përgjegjësja, ambasadorja Yuri Kim që rri me veshët pipëz sa tek “Rilindja”, “Shtëpia e Lirisë”, gjykatat, bandat, vuri duart si hinkë tek goja dhe thirri, O Sali, kthehu mbrapa.

Pasi futi marshin pas dhe eci aq sa duhej, e pyeti:

-Ç’ke, apo don me ardhë në fushatë?

-Jo jam në punë, por ku i ke kandidatët për kryebashkiakë, Sali?

-I futa në primare, model amerikan pra…

-Po nuk bëjnë këta o Sali.

-Bo bo ç’na gjeti, jo veç 7 kandidatët, por edhe Erion Veliaj, ju Kimete dhe unë, ngjajmë aq shumë, sa njerëzit kanë filluar të fërkojnë sytë, i kanë mirë apo jo.

-Hajt hajt Sali, e kisha për humor, se nuk u bë nami, këtu jemi vetëm ne të dy, tjerët janë kot, foli ajo që numëron “Peshqit”.

Ja pra, kaq është. As do të shëmben kullat e larta, as do të ndodhë gjë e madhe. Gara për kryebashkiakun e Tiranës është e thjeshtë: 7 “kinezë” + Saliu + Erion Veliaj +Yuri Kim = 2 /Pamfleti

Editorial # 7 “kinezë” #Erion Veliaj #Yuri Kim Saliu