Aktualitet12 Janar 2023, 19:24

8 Janari i dytë me listat e Saljanjit: Ethet e “betejës së re epike”

Shkruar nga Pamfleti
8 Janari i dytë me listat e Saljanjit: Ethet e “betejës së

Shumica e deputetëve aktualë që janë fryt i një marrëveshje të tyre me ekuilibrin e vjetër Basha-Berisha para 25 prillit 2021, nuk do të jenë më sipas të gjitha gjasave. Ndaj po lëvizin; ose për t’i marrë Alibeajt partinë, ose për të bërë shantazh që të marrin një pazar…

Shkruan Ylli Pata

Mësymja e vjetshme e 8 janarit, ku u desh të hynte policia për të ndarë palët në PD, nuk u zgjodh rastësisht si kohë. Kjo, ngaqë pas festave nis rigrumbullimi politik i grupeve parlamentare në Kuvend. Sali Berisha mund të bënte edhe vjet të gjithë këto lëvizje të ethshme e tymuese që ka udhëhequr e organizuar që nga 6 marsi. Por si gjithmonë, doktori i pëlqen të kryejë punë shpejt e me zhurmë, për të shkaktuar frikë e terror përreth.

Dhuna e 8 janarit, çoi më pas me lëvizjen djallëzore të 6 marsit, si tentativë tjetër force, por këtë radhë, jo me leva e qysqi, por me një akt politik të pashembullt. Daljen kundër partisë së tij në zgjedhje lokale, ku vetëm në Shkodër arriti sukses, falë edhe aleancës së fortë me LSI-në e Agron Çelës atje.

Pas 6 marsit, një forcë politike normale do të kishte larë duart përfundimisht me një aktor politik, i cili ishte sjellë si kundërshtar në betejën kryesore që forcat politike zhvillojnë-zgjedhjet.

Mirëpo, çuditërisht 6 marsi solli një trazirë të madhe në kupolën e lartë të opozitës, që janë deputetët e Kuvendit. Ndodhi një tentativë kryengritje pallati për t’i marrë partinë jo vetëm Lulzim Bashës, por edhe kontrollin e opozitës. Në qendër të kësaj loje ishin Grida Duma dhe Ervin Saljanji, të cilët edhe udhëhoqën zhurmën e madhe për largimin e Bashës.

Më 14 mars, Lulzim Basha dha dorëheqjen, duke u kujdesur që edhe të mos e linte në vakum partinë. Duke ju referuar statutit të PD-së, u caktua Enkelejd Alibeaj si njeriu regjent deri në zgjedhjen e reja.

Sali Berisha nga ana tjetër, refuzoi ftesën e Bashës për të bërë edhe ai një hap prapa që të kontribuonte në bashkimin e PD-së, por vijoi sulmin për të marrë sa më shumë pjesë të Partisë Demokratike.

Atë që ishte më thjeshtë; zaptimin e selisë dhe largimin nga zyrat të të gjithë atyre që shikonin si kundërshtarë e mbaroi shpejt.

Më pas tentoi të merrte strukturat e Partisë Demokratike, duke hapur procese votimi e zgjedhjeje, jashtë çdo konteksti, jashtë çdo rregulli, e zbatimi statuti. Këtu i hasi sharra në gozhdë, pasi strukturat më të rëndësishme të PD-së në bazë nuk pranuan t’i bashkohen Foltores.

Tentoi të ndërmarrë një lëvizje tjetër në verë, duke përdorur diversionin e një opozite më radikale, por s’ja doli dot. Më pas tentoi të marrë grupin parlamentar, ku dhe emëroi Luçiano Boçin si zëvendësues të Alibeajt, por sërish u tërhoq, pasi nuk kishte shumicën e grupit.

Pas zbythjes së vjeshtës, po e tenton sërish, duke përdorur një lojtar të post 6 marsit si Saljanji, e një grup deputetësh që thuajse janë material i gatshëm për zgjedhjet vendore, ngaqë synojnë të kandidojnë për kryebashkiakë në zona bastioni si Kamza apo Vau i Dejës.

Në thelb, kjo lojë është totalisht pa sens, kontekst, e natyrisht kundër çdo rregulli përfaqësimi politik. Drejtimi i grupit parlamentar, sidomos në një sistem proporcional ku kandidatët i zgjedh partia, është një funksion politik, që e zgjedhin strukturat më të larta të partisë.

Në rastin e PD-së, kryetarin e grupit parlamentar, që është posti i dytë pas kryetarit të partisë, e zgjedh Këshilli Kombëtar. Deputetët nuk e kanë këtë kompetencë, madje nuk e kanë edhe në Partinë Konservatore Britanike, ku deputetët kanë një rol të rëndësishëm në parti, edhe për faktin se ata zgjidhen direkt nga zgjedhësit, e jo nga kryesia e partisë në bazë të listës.

Tashmë është e qartë se grupet e interesit, vetë interesat, ambiciet, apo edhe shtytjet brenda PD-së janë shumë të vibruese e të mëdha. Mjafton shumë pak për të lëvizur e krijuar një ortek.

Gjithsesi, ka vetëm një qendër graviteti që është nën sulm; zyra reale e pushtetit të opozitës, çelësat e të cilit i mban Enkelejd Alibeaj. i cili njihet ligjërisht dhe ndërkombëtarisht. Përveç kësaj, kjo qendër pushteti ka edhe një pjesë të konsiderueshme të strukturave të Partisë Demokratike në bazë, të cilat i kanë rezistuar “revolucioneve të janarit”.

Gjasat janë që pikërisht nga kjo bazë do të ndërtohet një Parti Demokratike ndryshe nëse ndodh natyrisht, e shenjat e mundësitë janë aty. Por fakt është, se nëse ngrihet kjo PD e re, ajo do të mbështetet pikërisht mbi drejtuesit dhe aktivistët e strukturave të partisë në të gjitha degët e saj.

E si rrjedhim, shumica e deputetëve aktualë që janë fryt i një marrëveshje të tyre me ekuilibrin e vjetër Basha-Berisha para 25 prillit 2021, nuk do të jenë më sipas të gjitha gjasave. Ndaj po lëvizin; ose për t’i marrë Alibeajt partinë, ose për të bërë shantazh që të marrin një pazar. Deri më sot, Alibeaj nuk ja u ka dhënë këtë pazar, duket se nuk ka bërë marrëveshje me ta, ndaj edhe irritimi ndaj tij, është i madh. Pasi edhe komunikimi që bën kryetari i komanduar i partisë, duket se zhvillohet vetëm në mënyrë zyrtare e formale.

Po a mund t’ja marrin deputetët partinë Alibeajt? Gjasat janë që mund të bëjnë zhurmë në grup, por zyrtarizimi nuk është kaq i lehtë, pasi është një proces ligjor, ku në radhë të parë vlerë të madhe do të ketë vendimi i gjykatës. Paralelisht me të, edhe ndikojnë edhe baza reale e PD-së, si dhe ndërkombëtarët, që sipas gjasave do të thonë zërin e tyre.

Saljanji, duket se është më shumë një dash për të çarë portën që mban në zyrë Alibeajn, e atë dash, e mbajnë nga njëra anë Sali Berisha, e nga një anë Ilir Meta, i cili nuk lë ditë pa sulmuar deputetët e PD-së. Ngaqë atij nuk i intereson asgjë tjetër veçse pjesa e terrenit të ri politik, pasi LSI-ja e tij i rrëshqiti nën këmbë…

Forum grupi PD salianji