
Prokuroria e Posaçme ka reaguar për herë të parë mbi debatin për “21 Janarin”. Ditën e djeshme pati një padi nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ndaj Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Ndrea Prendit, ndërkohë që si provë e re pritet të dorëzohet audio-përgjimi që u publikua nga gazetari Artan Hoxha. Madje sot ka pasur një takim mes kreut të SPAK, Altin Dumani dhe Mark Nikës, xhaxhait të Aleks Nikës.
SPAK shprehet se do të bëhet shortimi i padisë dhe më pas do të nisë verifikimi nëse ka apo jo elemente të veprës penale.
“Në Sekretarinë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është protokolluar në datën 23.01.2023, kallëzimi i Ministrit të Drejtësisë, z. Ulsi Manja, në lidhje me ngjarjet e dates 21.01.2011. Ky kallëzim do ti nënshtrohet procedurës së shortit dhe do të trajtohet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e SPAK për Euroneës Albania.
Po ashtu dje Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka nisur verifikimin e një materiali të publikuar në media ditët e fundit ku përmendet një audio përgjim i komunikimeve të Gardës së Republikës më 21 janar 2011, kur mbetën të vrarë nga plumbat e gardistëve 4 protestues të opozitës.