Politike10 Korrik 2022, 16:24

A do të votojnë emigrantët në 2025? Ilirjan Celibashi tregon pengesën e vetme që mban peng procesin

Shkruar nga Pamfleti
A do të votojnë emigrantët në 2025? Ilirjan Celibashi

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se deri në fund të korrikut institucioni që ai drejton do të ketë gati platformën për regjistrimin e shqiptarëve të diasporës që duan të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

KQZ do të bëjë të mundur platformën për regjistrimin e emigrantëve me adresat e sakta në shtetet që jetojnë, ndërsa për mënyrën se si do të votojnë në 2025 me postë apo online, kjo do të mbetet në interesat e partive politike. Pavarësisht kërkesave të partive, Ilirjan Celibashi  tregon që llogaritja e votës së emigrantëve në një zonë të posaçme është e pamundur pasi nuk e lejon kodi.

“Jemi duke finalizuar aktin që ka të bëjë me proceduarat e regjistrimit dhe të identifikimit të atyre që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë adresë të përhershme atje por duan të regjistrohen për të votuar atje ku janë.”, tha Celibashi për Ora News.

Përsa i përket çështjes se si do të votojnë emigrantët, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi mendon se dy mënyra janë më të sigurta.

“Qoftë votimi me postë, qoftë votimi përmes internetit, ose përmes internetit i dërgimit dhe i marrjes së fletës së votimit por në këtë rast fleta e votimit plotësohet fizikisht. I ofron të gjitha garancitë nga pikpamja teknike.”, thotë ai.

Për Celibashin vota e emigrantëve është plotësisht e realizueshme, pengesa e vetme është bllokimi për interesa politike.

“Asnjë prej faktorëve institucional dhe politik nuk mund të kenë një justifikim në rast se ne në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk e realizojmë këtë.”, përfundon kreu i KQZ.

Politike Celibashi Vota e emigrantëve