Kosova25 Tetor 2022, 21:27

A do t’i rezistojë Albin Kurti presionit të Perëndimit për targat?!

Shkruar nga Pamfleti

Të martën e 25 tetorit, Kurti ka thënë se vendimi nuk do të shtyhet. Në të njëjtën ditë ka pasur raportime mediatike se “janë ngritur grupe të armatosura në Veri”. Mund të mos merren seriozisht raportimet e mediave, por s’mund të injorohet dot ajo që ndodhi më 31 korrik. Dhe shtrohet pyetja: A do të jetë 31 tetori si 31 korriku?

Më 31 korrik të këtij viti alarmet e improvizuar “të luftës” u lëshuan në Veriun e Kosovës. Paniku nisi, mediat ndërkombëtare shkruanin.

Serbët lokalë kishin dalë nëpër rrugë dhe kundërshtonin vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në targa dhe dokumente.

Gjendja nuk po dukej mirë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti doli me një video-mesazh ku tregonte se javët dhe muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë.

Por nuk doli ashtu, sepse në Kosovë ishte Amerika, pra njeriu që i përfaqëson SHBA-të në Prishtinë, ambasadori Jeffrey Hovenier.

Ai me nxitim shkoi te presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe te kryeministri Kurti për t’iu kërkuar ta shtynin vendimin për dokumentet dhe targat.

Albin Kurti e kishte bërë, barrikadat serbe u larguan– gjithçka u kthye në normalitet brenda dy ditëve. Krejt çka mbeti ishte shqetësimi se mos në Kosovë dhe Serbi po fryn “era e konfliktit”.

Vendimi i qeverisë u shty me një muaj. 31 gushti mund të ishte problematik, nëse më 27 gusht të mos nënshkruaj në Bruksel marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet.

Por nuk u firmosa marrëveshja për targa. Kurti iu dha afat serbëve të Kosovës që brenda dy muajve të konvertojnë targat nga “KM” në “RKS”, nëse nuk realizohet kjo deri më 31 tetor veturat do të cilësohen si ilegale – brenda vendimit kishte shumë lehtësira operative për serbët.

Në terren serbët e kanë refuzuar vendimin e qeverisë që t’i konvertojnë targat, kështu që 31 tetori po afron.

Këtë e di Perëndimi. Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka thënë se Sekretari Amerikan Antony Blinken i ka kërkuar Kurtit që ta shtyjë afatin për targat.

Po ashtu, të shtunën erdhi në Prishtinë Miroslav Lajçak, emisar i BE-së për dialogun, duke i kërkuar Kurtit që të shtyjë vendimin.

Por të martën e 25 tetorit, Kurti ka thënë se vendimi nuk do të shtyhet.

Në të njëjtën ditë ka pasur raportime mediatike se “janë ngritur grupe të armatosura në Veri”. Mund të mos merren seriozisht raportimet e mediave, por s’mund të injorohet dot ajo që ndodhi më 31 korrik.

Kështu tash shtrohet pyetja: A do të jetë 31 tetori si 31 korriku?

Kë do ta dëgjojë kryeministri Kurti, vendimin e tij apo Perëndimin?

Ky udhëkryq i Kurtit fare lehtë mund të jetë edhe udhëkryq i Kosovës. /Pamfleti

Prishtine

Kosova