Pas 4 denoncimeve nga “Pamfleti”, Rama ndryshoi në regjistrin e KKT, emrin e kullës dhe investitorit/ Para se të tentojë fshehjen e pazareve me “Ndragheta”, kryeministri ka detyrim ligjor, që si firmosës i lejes së kësaj kulle, të publikojë dokumentet tatimore, doganore, bankare, të Drejtorisë së Parandalim-Pastrimit të Parave e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, që provojnë se çfarë burimi financiar e pronësor trualli, ka kjo gradaçelë me sipërfaqe 58 mijë m2 tregtare e banimi në qendër të Tiranës, që do ndërtojë miku dhe ortaku i tij me 7 dosje hetimi e kërkimi nga DEA-EUROPOL
Ja çfarë tha kryeministri Rama në konferencën e shtypit, ku tentoi të “shtypte” lirinë mediave, për të ndalur publikimin e përgjimeve të antimafies italiane, lidhur me skemën “Pazari 20%”, bërë prej tij e Lali Erit me grupin mafioz”Ndragheta”:
Deklarata e Edi Ramës: – “A ka pastrim parash në këtë vend? Po, ka! Edhe në Shqipëri, rregullat e vendosura janë jashtëzakonisht të rrepta, psh., kur blen një shtëpi një emigrant, apo çon 15 mijë euro në shtëpi, i bllokohen deri sa verifikohen se ku i gjen, ku e kanë burimin…”
Sipas kësaj që thotë kryeministri, shteti i verifikon edhe vlerat 10-15 mijë Euro, që dërgojnë emigrantët, apo 50 mijë Euro për blerje apartamanti.
Ndërsa kryebashkiaku Erjon Veliaj, pasi i doli emri në përgjime, si “kompetenti” i pazareve të “Ndragheta”-s në Tiranë; deklaroi se lejet e ndërtimit të pallateve e kullave, nuk jepen pa u verifikuar burimi i financimit.
Meqë Babloku dhe Lali Eri, (gjoja) nuk e dinë se ku e kush pastron miliona të pista, po i bëjmë disa pyetje ligjore, për lejen e ndërtimit të një kulle gjigande në qendër të Tiranës.
Bëhet fjalë për kullën “Ekspozita Building” që do ngrihet mbi truallin ish-“Ekspozita Shqipëria Sot”; me sipërfaqe me 24-kate mbi tokë+papafingo dhe me 5 kate nëntokë e lartësi 100 metër mbi tokë, që do ketë në total 58 mijë e 276 m2 hapësira dyqane, zyra apartamente banimi e çdo mjedis shërbimi qendre komerciale.
Sipas Vendim-Lejes nr. 4, datë 08.11.2019 të KKT, këtë kullë 100 metër të lartë me vend-ndodhje midis gjykatës dhe policisë së Tiraëns; do ta financojë firma “Victoria Construction” e Ervin Matës, me administrator fiktiv babain e tij, hotelexhiun Luan Mata.
Në dosjen e lejes së ndërtimit të kësaj kulle, që ka miratuar KKT me firmosje nga kryeministri Rama, ministrja Balluku e kryebashkiaku Erjon Veliaj; nuk pasqyrohet vlera e investimit, burimi i financimit të kësaj kulle dhe rrugët e transaksionit, paçka se detyrohet ligjërisht.
Sipas të dhënave, vlera ndërtimore e kësaj kulle është 33 milionë Euro, ose sa buxheti vjetor që qeveria i jep Bashkisë së Tiranës, shumë jo e vogël, për një kompani ndërtimi; që për 6 vitet e fundit rezulton me 5-10 milionë lekë të reja fitim në vit.
Pyetja që i bëjmë kryeministrit Edi Rama, si miratues dhe firmosës i lejes së ndërtimit të kësaj kulle, është kjo:
– A keni dijeni shkresore zyrtare nga tatimet, doganat, bankat, SHISH, Policia, Drejtoria e Parandalim-Pastrimit të Parave dhe Drejtoria së Informacionit të Klasifikuar; se ku do t’i gjejë Ervin Mata, 33 milionë Euro për të ndërtuar kullën 100 m të lartë tek Ekspozita?
Sepse në muajin qershor 2015, në muajin dhjetor 2017 e në muajin shtator 2019; ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë, Policisë e SHISH, i kanë ardhur “letra të zeza” për trafikantin Ervin (Elvin, Elvis) Luan Mata, lidhur me aktivitetin e trafikut të kokainës, sendeve me vlerë ikonave fetare dhe pikturave në Gjermani, Zvicër, Holandë.
Gjithë të ardhurat nga aktiviteti trafikues, Ervin Luan Mata i ka maskuar (pastruar) me aktivitetin e hoteleve “Victoria” dhe nëpërmjet firmës ndërtuese “Victoria Construction shpk”, me lejet e pallate-kullave që i japin babloku e Lali Eri.
Patjetër, që kryeministri e di shumë mirë, se nga çfarë burimi i ka siguruar trafikanti Ervin Mata; edhe këto 33 milionë Euro të kësaj kulle; po ka dhe “info” zyrtare, se nëpërmjet cilit “kanal” jo bankar, të ndonjë shoqërie sigurimesh apo ndonjë banke offshore me emër italian e ortakëri ruse-serbe-qipriote; do “legalizohen” si të “pastra” këto 33 milion Euro të kullës “Ekspozita”.
Nëse SPAK, do që ta hetojë këtë krim financar me “kullën lavatriçe” të trafikantit Ervin Mata; mjafton të hetojë vetëm këto dy fakte shkresore të KKT dhe Bashkisë Tiranë:
- Me Vendim-Leje nr. 4, datë 08.11.2019 të KKT, firmosur nga Edi Rama, Erjon Veliaj e Belinda Balluku, kulla quhej “Ekspozita Building” dhe do ta financonte e ndërtonte firma “Victoria Construction”, me administrator Luan Mata, babai i Ervin Matës.
- Ndërsa pas 1 viti, me Vendim-Leje nr. 43, datë 28 dhjetor 2020 të KKT, firmosur po nga Edi Rama, Erjon Veliaj e Belinda Balluku; kësaj kulle iu ndryshua emri në “Green Tower”; ndërsa investor e ndërtues, do jetë firma “Titan Konstruksion” me pronar Refki Peposhi e Agim Selaci, të dy, me rezidenca biznesi në Londër, Holandë e Kosovë.
NË VIJIM/ Fakte nga loja me falsifikime emrash, ndryshime investitorësh e ndërtuesish dhe burimet e pista financiare, për 7 kullat e tjera në qendër të Tiranës; por dhe për pronarët “misteriozë” shqiptarë, turq, grekë e serbë, të kullës brenda stadiumit “Air Albania”./Pamfleti