Editorial20 Maj 2022, 19:17

A e ka hapur Nuredin Dumani dosjen e lidhjes së politikës me krimin?

Shkruar nga Pamfleti
A e ka hapur Nuredin Dumani dosjen e lidhjes së politikës me krimin?

A e ka hapur Nuredin Dumani dosjen e lidhjes së politikës me krimin?

Këto orë po flitet shumë për pjesën e dytë të dosjes së SPAK, e cila ka të bëjë me rrëfimin e “pentitos” mbi lidhjet ndërmjet krimit dhe politikës së lartë.

Publikimi i dosjes së gjerë të vrasësit më famëkeq të vendit, Nuredin Dumani, i cili pranoi të bashkëpunojë, kur nuk kishte rrugë tjetër, po merr vëmendje të madhe në opinionin publik. Po flitet për ngjarje e zhvillime në botën e krimit dhe funksionimit të lidhjeve të disa prej grupeve më të frikshme të Shqipërisë.

Por ajo që vihet re, është se ky publikim ka shkaktuar edhe një trazirë në stomak tek një pjesë e rëndësishme e politikës shqiptare. Këto orë po flitet shumë për pjesën e dytë të dosjes së SPAK, e cila ka të bëjë me rrëfimin e “pentitos” mbi lidhjet ndërmjet krimit dhe politikës së lartë. Deklaratë që e bëri edhe Baba Taku mbrëmë, duke nxjerrë ca sekrete nga “çanta e zezë” e tij. E ndërthurur kjo edhe me deklaratat e forta të Edi Ramës ndaj SPAK kohët e fundit,  lidhja bëhet edhe më “organike”. A e kishte për këtë dosje kryeministri që kërkoi nga SPAK që të mos godasë vetëm majtas? Pasi një pjesë e emrave të dalë nga bota e krimit në Elbasan, del qartë se janë pjesë e detashmentit pranë Partisë Socialiste. Që nga dhëndri i Lalës së Elbasanit, e deri te Suel Çela, por edhe të tjerë të përmendur, njihen si “Patronazhistë” të dorës së parë të Partisë Socialiste.

Vetë Rama, prej kohësh ka nuhatur diçka, ndaj dhe bëri lëvizjen e fortë politike në qarkun e Elbasanit, duke larguar Taulant Ballën në Fier dhe vendosur Damian Gjiknurin në qarkun problematik.

Megjithatë, kurioziteti publik është i madh, se sa do të rrëfehet Dumani për pjesën e lartë të funksionimit të krimit në lidhje me politikën.

Lidhje që është organike, pasi si fitimi i miliona eurove, “puna” pa i trazuar kush nën hundën e policisë, por edhe aktivizimi në fushatat elektorale, e bën krimin në Shqipëri si një pjesë e rëndësishme e partneritetit me politikën e lartë. Natyrisht nuk është vetëm në një anë të politikës lidhja me krimin, pasi ky fenomen ka qenë prej vitesh i instaluar në Shqipëri. Ishte vetëm Lulzim Basha që nuk pranoi të ketë partneritet me pjesën e nëntokës, ndërkohë që Berisha arriti të fitojë në 6 mars pikërisht prej riaktivizimit të këtyre lidhjeve.

Nuredin Dumani, nuk se është një baron ekzekutiv i grupeve kriminale në vend, ai ka qenë më shumë një “krah ushtarak”, i cili ka kryer vrasje, por natyrisht duke qenë brenda botës së nëntokës, ai do të dijë shumë mbi këto lidhje.

Por duhet që për këtë të pyetët nga prokurorët. Madje, nuk ka asnjë çudi që të jetë pyetur, por materiali mund të jetë pjesë e një dosje të radhës, që natyrisht kërkon hetime më të hollësishme.

Këto ditë, do të jetë interesant të shihet se kujt nga “politika” do t’i djegë ‘miza nën kësulë’ nga dalja e kësaj dosjeje. E si pasojë mund të kryejë ndonjë lëvizje “dekonspiruese”; pasi është aksiomë që autori i një krimi, nuk mund të rrijë pa lënë diku shenja të veprës që ka kryer…/Pamfleti

Editorial Edi Rama Nuredin Dumani SPAK