Editorial27 Shtator 2022, 09:17

 A është Fitim Marku halli më i madh i shëndetësisë shqiptare?

Shkruar nga Pamfleti
 A është Fitim Marku halli më i madh i

 A është Fitim Marku halli më i madh i shëndetësisë shqiptare?

Pse mos të çojmë Ogertën para drejtësisë, në vend të mjekut të Traumës?

Fitim Marku, mjeku i Spitalit të Traumës, i arrestuar me bujë tre ditë më parë është nën kujdes intensiv shëndetësor pas një ishemie cerebrale. Masa e sigurisë e vendosur për të, do t’i bëhet me dije në spital, edhe pse kolegët që kujdesen për të, nuk japin siguri nëse do t’ia hedhë apo jo. I arrestuar si të qe kriminel ordiner, me akuzën për rryshfet, në një vend ku krimi drejton shtetin dhe gjaku i luftës mes mafies ka larë rrugët, mjeku i Traumës, pasi është mbajtur nën vëzhgim, studiuar e më pas futur në kurth nga policia, falë një operacioni të quajtur “Skaneri”, u fut në listën e arritjeve të mëdha të Policisë së Shtetit.

“Spektakli” i arrestimit të tij ishte nga ata që të sillte zorrët në grykë. Furgonë policie, maska të zeza, armatim deri në dhëmbë e mes tyre një mjek i veshur me uniformën e sallës së operacionit. U kap një mjek i korruptuar. Një mjek kishte marrë 20 mijë lek në këmbim të shërbimit. U pastrua sistemi shëndetësor. Një mjek i poshtër iku.

Fitim Markut, si fillim i urojmë shërim të shpejtë e më pas shpresojmë të marrë dënimin që meriton për aktin e kryer.

Por a është Fitim Marku halli më i madh i shëndetësisë shqiptare?

A janë mjekët e keqja e Shqipërisë?

Një ditë më pas, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftonte nga oborri i Kryeministrisë se Qeveria e saj, kjo qeveri e “mirëqenies përrallore” kishte vendosur të rriste ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. D.m.th ato 7 mijë lek që qeveria u jep atyre pa asgjë, do të shtoheshin me disa kacidhe. Në të njëjtën ditë, media u pushtua nga halli i Alban Shkallës, 43 vjeç, dializant, që nuk e kryente dot transplantin e veshkës me dhurues të motrën, sepse nuk bënte dot analizat e nevojshme. Për të arritur ëndrrën, Albani duhet të bëjë një ekzaminim që quhet Sintigrafi, i cili realizohet me injektim të një substance radioaktive, me përdorim vetëm spitalor. Deri në dhjetor të 2021 ky ekzaminim realizohej në QSUT, por tani jo më. Sepse Qeveria Shqiptare laboratorët shtetërorë i ka dhënë me konçension dhe paguan për to 114 milion dollarë. Megjithatë kjo analizë nuk kryhet se ashtu e sheh të nevojshëm konçensionari dhe hallexhinj si Albani e qindra të tjerë vdesin çdo ditë nga pak.

A është pra mjeku i Traumës halli më i madh i sistemit shëndetësor?

Për këtë të laboratorëve dhe 3 konçensionet e tjera në shëndetësi për të cilët shqiptarët do të paguajnë 10 vitet e ardhshme qindra milionë euro, pa e marrë shërbimin që duhet, pse në vend të Fitim Markut nuk ishte Ogerta Manastirliu ose paraardhësi i saj, Ilir Beqja?

Dy ditë pas spektaklit të shpifur me mjekun e Traumës, pasi u kthye nga SHBA dhe propagandimit të një axhende krejt të çuditshme për një kryetar bashkie sa një lagje e vockël periferike e një qyteti në SHBA, Erion Veliaj mbante fjalim në mbrëmjen përmbyllëse të Festivalit të filmit “Marubi” në Kionstudio. Krejt pa lidhje, kryetari i bashkisë së Tiranës, tha se do të merrte pjesë në një takim në Pragë, me kryetarë të tjerë bashkish, dhe shumë shpejt do të niste të ndërtonte shkolla, çerdhe e kopshte në Kiev të Ukrainës.

D.m.th ne, shqiptarët, që po diskutojmë bukën e gojës, do çojmë Lalin të ndërtojë shkolla në Ukrainë. Hallall ndihma për popullin e Ukrainës e dhëntë Zoti që lufta të përfundojë sa më shpejt, por a i mbaroi hallet e Tiranës ky, që do të zgjidhë ato të Kievit. Me çfarë parash do të ndërtojë Erioni në Kiev.

Meqë ra fjala tek hallet, si vajti ajo puna e inceneratorit të Tiranës? E dimë që nuk e keni harruar, por ja, po ju kujtojmë atë skemën superhajdute që konsistonte në ngritjen e shoqërive fantazëm, për të justifikuar milionat që buxheti i shtetit i ka kaluar inçeneratorit për të cilin Lali ka fitmosur pa e pyetur fare Këshillin Bashkiak, dhe që financohet vetëm me para publike, me plot 80 mijë dollarë në ditë.

Për këto dhe qindra vjedhje të tjera e madje edhe vrasje, pse nuk ishte Erion Veliaj në pranga, në vend të doktorit të Spitalit të Traumës, Fitim Marku?

Ose, me mirë fare, pse nuk përgjigjet Babloku për të gjitha këto bëma. Ai që u vë firmën e i jep bekimin çdo megavjedhjeje të kryer në këtë vend, 9 vitet e fundit.

Pse, në vend të Fitim Markut nuk ishte Edi Rama? Ky edhe i ka qejf spektakle të tilla. Për të çuar drejtësinë në vend në Shqipëri, nuk ka nevojë që Edi Ramës t’i futet një spiun në gji. As ta provokojë me rryshfet nën dorë. Mjafton të hapni dosjet e arsimit, rrugëve, shëndetësisë, pushtetit vendor, ushqimit,  drejtësisë. Mjafton një dosje e vetme për ta çuar pas hekurave përjetësisht atë dhe ushtarët e vet të verbër.

Kjo nuk ka ndodhur akoma e ndoshta nuk do të ndodhë kurrë. Prandaj për sa kohë realiteti është kështu, spektakli i Fitim Markut është turp, është krim, kronikë e një vrasje të paramenduar. Jo e një mjeku, por e një kaste të tërë specialistësh të sistemit shëndetësor që ndoshta nuk janë krejt pa faj, por nuk bëjnë asgjë më shumë përveçse i përshtaten një sistemi të ndyrë e të kalbur që kjo qeveri i bëri gjuajtjen e fundit./Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Editorial # A është Fitim Marku halli më i madh i shëndetësisë shqiptare? Edi Rama Erion Veliaj Ogerta Manastirliu

Editorial