Ditën e sotme mediat kanë pyetur avokatët e ish ministrit të Mjedisit, Lefter Koka nëse ai ka marrë statusin e të penduarit dhe a është kthyer në bashkëpunëtor i Drejtësisë.
Avokatët e tij thanë se ish ministri nuk ka pse të pendohet dhe të bëhet bashkëpunëtor sepse nuk ka për çfarë të pendohet.
“Ka një masë të re sigurie dhe po ndodh një cenim të të drejtave të njeriut. Shpresojmë që të shfuqizohet nga Apeli. Do ta shpallet nesër vendimi. Nga ana tjetër rreziku i ikjes është inekzistent dhe rreziku i thyerjes së të njëjtës vepër sepse ai ka vite që nuk ushtron detyrën si ministër”, tha avokati i parë.
“Ai nuk ka përse të pendohet as të bëhet bashkëpunëtor, në rastin konkret Lefter Koka nuk ka pse të pengohet, SPAK i ka të gjithë mundësitë që të kërkojë bashkëpunëtor, por jo tek Lefter Koka”, sipas avokatit të dytë.
Avokatët mbrojtës të ish-ministrit të Mjedisit kërkuan sot ndryshimin e masës së sigurisë për “arrest me burg”. Nesër në orën 10:00 do të jepet vendimi nga gjykata për këtë kërkesë.
Lefter Koka u arrestua me urdhër të SPAK, pasi ish-ministri akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.