Proceset, nuk lindin brenda natës, aleatët natyrisht që kanë pjesën e luanit në këtë përpjekje, por duhet që publiku të mos gënjehet e ushqehet me iluzione nacionaliste të kota. Kosova, pa paqen me Serbinë mbetet një konflikt i ngrirë siç është Lindja e Mesme.
Shkruan Gjergj Zefi
Marrëveshja e firmosur me vrik nga Dritan Abazoviç me Kishën Serbe, e parë kështu në sipërfaqe, duket si një vetvërasje politike naive e kryeministrit të Malit të Zi. Një akt, që sipas gjasave do ta rrëzojë qeverinë e tij më 19 gusht. E gjitha kjo ka habitur shumë analistë që bëjnë çudi për kët akt kamikaz të Dritanit.
Nëse dëgjohen “patriotët me çifteli”, që e akuzojnë për tradhëti, akuza pastaj nuk ka më logjikë. Një tradhëtar nuk digjet kaq lehtë, aq më shumë që marrëveshja që ai firmosi, mund të anulohet lehtësisht nga qeveria pasardhëse, siç thonë edhe Milo Gjukanoviç e aleatët e tij nacionalistë malazezë.
Por nëse reflektohet më thellë, nëse gjykohet kthjellët e esëll nga duhmat turbofolk, vëren se gjërat janë më të komplikuara se duken.
Marrëveshja e qeverisë malazeze, duket krejt qartë se është një përpjekje e mbështetur fort nga ndërkombëtarët. Bëhet fjalë për SHBA dhe Gjermaninë, të cilët sollën në qeveri Dritan Abazoviçin dhe Albin Kurtin dhe po vazhdojnë ti mbështesin. Jemi në një logjikë që sheh më larg se zgjedhjet e radhës dhe përplasjet e politikës së ditës…
E parë në këtë prizëm, duket se kjo lëvizje, ka lidhje direkte me Kosovën, duke futur në proces aksin më influent në Serbi: Kishën Ortodokse Serbe, polin e pushtetit, ku jo vetëm gatuhet politika, por edhe marrin bekimin politikanët që më pas vijnë në pushtet.
Perëndimi, duket se po tenton ta izolojë Kishën serbe nga Kremlini, sidomos pas vdekjes së dy eksponentëve më ekstremistë dhe prorusë në krye të saj: Patriarkun Irinej dhe Mitropolitin Amfilohije. Natyrisht sa më shumë që të jetë e mundur. E kjo nuk është gjë tjetër veçse realpolitikë.
Klerikët ishin pengues të çdo procesi që niste nga Perëndimi në Ballkan, siç ishin edhe në krye të çdo procesi për të ndaluar hyrjen e Malit të Zi dhe Maqedonisë në NATO. Tashmë, që gjysma e rrugës është bërë, ka një kleçkë që duhet ta kuptojë çdo aktor i politikës shqiptare në rajon. Sado që serbët janë mundur në logjikën e tyre shoviniste, ata nuk mund të mos jenë aktorë e protagonistë të zhvillimeve në këto territore. Jo më kot Aleksandër Vuçiç e përsërit shpesh frazën që “nuk do t’i lejoj të poshtrojnë Serbinë”. Një frazë e koduar që qartësisht bën fjalë për ta përfshirë atë në proces…
E për t’ju kthyer marrëveshjes së Dritan Abazoviç me Kishën serbe, vihet re se pakti ka dy shtylla themelore: i është dhënë e drejta territoriale e pronave të mëdha kishtare në Mal të Zi Patriakanës së Serbisë, por regjistrimi i pronës bëhet në hipotekat e Republikës së Malit të Zi. Pra Kisha Serbe është pronare, por nuk mund të tjetërsojë apo të territorizojë pronat.
Më shkoqur: koncepti i ekstraterritorialitetit që përdoret në marrëveshjen e Abazoviçit me Kishën serbe është i njëjti parim që kanë ambasadat për selitë e tyre diplomatike. Një ambasadë, territorin e selisë e quan territor të shtetit të saj vetëm që të mos lejojë ndërhyrjen e policisë apo ushtrisë së vendit ku ndodhet, por të drejtat e ambasadës nuk janë të pakufizuara. Pasi shteti pritës ka të drejtën t’i shpallë të padëshirueshëm apo t’i dëbojë, në rast se shikon një veprimtari armiqësore.
E duket, madje ka ditë që komentohet në qarqet politike e mediatike rajonale, se modeli i marrëveshjes Abazoviç- Porfirije, mund të jetë një ngjashmëri për marrëveshjen finale që pritet të nënshkruajë Serbia me Kosovën për njohjen reciproke.
Për rastin e veriut të Kosovës, formatin e bëri të qartë i dërguari i Presidentit Biden për Ballkanin, Gabriel Escobar. Pra që do të zbatohet asocacioni i komunave serbe pa të drejta ekzekutive, jashtë Kushtetutës së Kosovës. Pra nuk do të kenë të drejta për dokumentet kadastralë, ato të gjendjes civile, ushtrisë dhe policisë, por vetëm të drejtën për të vepruar si një bashkësi e pushtetit vendor të pakicës serbe. Nëse shihet ftohtë, këto të drejta ja u jep komunitetit serb në Kosovë, edhe Pakoja Ahtisari, e cila është implementuar në Kushtetutën e Republikës.
Megjithatë pika më delikate, por që diskutohet më pak, është statusi i manastireve dhe pronave klerikale të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Ata që propaganda e shfrenuar shoviniste i quan si “Jeruzalemi i Serbëve”. Jeruzalemi është vendi ku kanë shtëpinë bazike të gjitha fetë monoteiste: Judaizmi, Krishtërimi dhe Islami. Por shteti izraelit, është sovran mbi ato territore, që kanë një status special.
Për ta bërë më të qartë; pyetja që shtrohet këto ditë është se a po kornizohet një marrëveshje si ajo e Kishës Serbe me Malin e Zi edhe me Kosovën? Ku Patriarkana do të ketë të drejtën e ekstraterritorialitetit, por jo të sovranitetit mbi trojet dhe objektet që do të regjistrohen në kadastrat e Kosovës. Që deri tani nuk është praktikuar, dhe si nga e Beogradit ashtu edhe nga e Patriakanës ato shihen si prona të Serbisë.
Në të shkuarën, Irinej, Amfilohije, apo edhe Artemije-murgu famëkeq i kishës serbe në Kosovë, kanë mallkuar të gjithë ato politikanë që do të bënin një marrëveshje që prishte statusquonë aktuale të manastireve. E cila ka pasur si garanci Rusinë Cariste në Konferencën e Londrës e më pas edhe në Versajë.
Në vitin 1992, kur Arafat e Itshak Rabin firmosën marrëveshjen e Oslos, presidenti palestinez tha se “nuk ka lindur ende ai palestinez që të firmosë për Jeruzalemin”. Pasi ulemat arabe kishin mallkuar të gjithë politikanët që mund të arrinin një marrëveshje. Ky hezitim jo vetëm çoi Palestinën në kaos, por edhe në vrasjen e kryeministrit të Izraelit. E asnjë tjetër sot nuk ka marrë përsipër që të firmosë një paqe me Palestinën. Mirëpo as ne nuk jemi Lindje e Mesme, e as Kosova nuk është Izraeli, një shtet që ka një potencial gjigand sigurie, edhe pse nuk ka pasur asnjëherë ushtarë të NATO-s që të luftonin për ta.
Ndërkaq, Albin Kurti po flet për një luftë të mundshme në veri, kurse opozita e tij është e mpirë. Realisht mundësia e një lufte të vogël ekziston, e po plasi ajo, lehtësisht mund të bëhet e madhe. Problemi është aq delikat sa gjërat mund të rrëshqasin shumë shpejt, siç po ndodh me Ukrainën, e cila ka sot në zotërim miliardat që nuk i ka pasur asnjë vend nga Perëndimi, por sërish jo sigurinë e fitores. Kosova, edhe pse është aleat i Perëndimit, duhet ta ndajë mendjen, a i leverdis një paqe me kosto, apo një luftë që sjell kosto të tjera? E ky debat duhet të bëhet së pari në opinionin publik shqiptar.
Si e konceptojnë ata paqen me Serbinë dhe si mund të konturohet kjo paqe në një draft, siç ndodhi me draftin e Ahtisarit që u bë më pas Kushtetuta e shtetit të Kosovës.
Proceset, nuk lindin brenda natës, aleatët natyrisht që kanë pjesën e luanit në këtë përpjekje, por duhet që publiku të mos gënjehet e ushqehet me iluzione nacionaliste të kota. Kosova, pa paqen me Serbinë mbetet një konflikt i ngrirë siç është Lindja e Mesme.
Palestinës, pikërisht nga hezitimi për të njohur Izraelin i janë hequr territore pa fund që nga 1947. Pikërisht duke u ngopur me lugën bosh të “lavdisë” së parritshme.
Dikush duhet të përgatisë një draft me pikat e kuqe, ato të gjelbërta e portokalli në një marrëveshje të mundshme me Serbinë. Po para se ta bëjë qeveria e Kosovës, apo Kuvendi i saj, publiku duhet të informohet e debatojë për marrëveshjen që do ta kthejë Kosovën, ndoshta në shtetin më të rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen, natyrisht, duke qenë anëtar i OKB-së, e jo një “Tajvan” që përdoret si shkëmbim. E mira është në këtë rast, që me Pakon Ahtisari Kosova nuk u konceptua asnjëherë as si Palestinë e as si Tajvan. Madje as si një Bosnjë e pas Dayton-it. Por një shtet i ri, multietnik, që i jep pakicës serbe të drejta politike ekskluzive. Që nuk e bën model botëror të zgjidhjes së konflikteve. Deri tani serbët i kanë përfituar të gjitha benefitet e pakos Ahtisari, por tani ka ardhur koha të ndajnë mendjen se ç’duhet të bëjnë me këto të drejta. Një konflikt i ri nuk ndihmon absolutisht Kosovën, edhe pse shumë ndër to e rrahin gjoksin se janë gati për të luftuar. Në rastin e 1999, Kosova nuk kishte ç’humbte më, por sot ajo ka shumëçka. Nga liria, sovraniteti, shtetësia e barazia me të gjithë botën. Diskutimi nuk është që Kosova të lëshojë territor, pasi këtë e fitoi me luftën jo vetëm të UÇK-së por edhe të NATO-s në radhë të parë.
Çështja është se një status’quo është më e rrezikshme se një marrëveshje, sado me kosto të duket. Nuk luhet për politikën e ditës, por për diçka më shumë. Dritan Abazoviç, e tregoi këtë, edhe pse mund të jetë kryeministri më jetëshkurtër i Malit të Zi, shërbeu për një marrëveshje që e donte SHBA dhe BE. Për atë vizion që ata kanë në Ballkanin Perëndimor, ku Rusia, edhe pse ka influencë, të mos ketë të drejtë vetoje. Siç ka deri më sot në OKB, bashkë me Kinën…/Pamfleti