Aktualitet21 Janar 2019, 08:33

A ka më Kosova iluzione pas vizitës së Putinit në Beograd?

Shkruar nga Pamfleti
A ka më Kosova iluzione pas vizitës së Putinit në Beograd?

A ka më Kosova iluzione pas vizitës së Putinit në Beograd?

Fakti që presidenti i Rusisë ngrihet dhe kërkon pas 20 vitesh rikthimin  e ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës tregon se Moska jo vetëm nuk po demostron fleksibilitet, por një prapakthehu absurd historik, në një strategji të komplikimit edhe më shumë të klimës së bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo don të thotë se Rusia është shumë larg shpresave dhe iluzioneve që mund të kenë ndaj saj në Prishtinë, në Tiranë apo në Bruksel.

Shkruan Shaban Murati

Vizita e pestë në Beograd e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në 17 janar dhe takimi i tij i 19-të me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, bashkë me 25 marrëveshjet shtetërore të nënshkruara atë ditë, ku hyn edhe marrëveshja e dyshimtë për një Qendër Atomike ruse në Serbi, i konfirmuan Brukselit, gjithë Europës e botës, se e vetmja kishë, ku falet Serbia, është Rusia dhe jo BE.

Në të njejtën kohë vizita e Putinit duhet të shërbejë si hapje sysh për ata zyrtarë e diplomatë në Prishtinë, Tiranë, Bruksel, Paris e gjetkë, që shpresojnë se teoria e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës po ndryshon kursin e Rusisë ndaj Kosovës.

Në mjegullnajën e ngritur qëllimisht në arenën diplomatike ndërkombëtare qysh nga vera e vitit të kaluar për modalitetet e një marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, nuk dihet se mbi çfarë baze është krijuar ndonjë iluzion në disa qarqe shqiptare se Rusia ka ndryshuar qendrim dhe është bërë mirëkuptuese ndaj njohjes së Kosovës. Iluzione, të cilat hasen në qarqe, që ose nuk njohin mirë Serbinë dhe Rusinë, ose që ndodhen nën rrezatimin e lobeve serbe dhe ruse. Mesazhet dhe qendrimet intransigjente, që presidenti rus Putin paraqiti në bisedimet e tij në Beograd, nuk lejnë më justifikim për ndonjë iluzion diplomatik apo propagandistik në këtë drejtim.

Janë tre elemente të reja negative, të cilat presidenti rus i formuloi gjatë vizitës së tij.

Elementi i parë është se ai doli me termin e ri rus “zgjidhje kosovare dhe rregullim kosovar”. Kjo don të thotë se për Rusinë, ajo që është emërtuar“marrëveshje e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, është një çeshtje e brendshme serbe, e cila ka të bëjë jo me njohjen midis dy shteteve të pavarura, por me zgjidhjen e një çështjeje lokale brenda shtetit serb. Pra Rusia synon degradimin e rendit të ditës të bisedimeve Serbi-Kosovë nga çështje e normalizimit të marrëdhënieve në çështje të statusit të Kosovës, që don të thotë zhbërje e shtetit të pavarur të Kosovës.

Elemeni i dytë i ri dhe i rrezikshëm është kërkesa e presidentit rus, e shprehur për herë të parë nga ai, për vendosjen e policëve dhe rojeve kufitare serbe në territorin e Kosovës. Është një kërkesë e re dhe provokuese ruse, e cila zbulon një kahje tepër të rrezikshme, ku kërkon Rusia ta fusë dinamikën e bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës. Presidenti rus e paraqiti këtë kërkesë si në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB të 20 viteve më parë. Diplomacia ruse, në përpjekjen që të fusë në rrugë pa krye bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, bën sikur nuk e din se ajo rezolutë ka mbaruar funksionin e saj pas vendimit të Tribunalit më të lartë juridik të OKB, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjëshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

E keqja është se Prishtina po harron prej shumë vitesh t’ia përmendë Serbisë dhe Rusisë të vërtetat e mëdha juridike, diplomatike dhe historike. Rusia dhe Serbia e dinë fare mirë se largimi i forcave të ushtrisë, të kufirit dhe të policisë serbe nga territori i Kosovës është bërë në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare midis qeverisë së Serbisë dhe NATO-s në 9 qershor 1999 në Kumanovë dhe ajo hyri në fuqi një ditë pas miratimit të rezolutës 1244. Pra Serbia, forcat ushtarake dhe policore serbe, janë larguar me vullnetin dhe firmën e qeverisë së Serbisë, gjë që don të thotë se ata nuk kanë asnjë lloj të drejte për rivendikimin, që e nxorri nga varri presidenti rus në Beograd.

Marrëveshja e Kumanovës është pranuar edhe nga Rusia, e cila ishte pjesëtare e samitit të grupit G-8, që vendosi miratimin e rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit. Ajo që është e rëndësishme dhe që për fat të keq nuk e di pse nuk shtrohet çdo ditë nga diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë është fakti i madh juridik që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka sanksionuar që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244 të KS të OKB.

Ka edhe një element tjetër të natyrës juridike, të cilin e kam  theksuar disa herë në librat e mia. Rezoluta 1244 nuk i takon Serbisë, ajo flet për “RFJ”, që ka qenë shtet tjetër, dhe nuk përmend në asnjë rresht të saj të drejta apo kompetenca të Serbisë. RFJ është shkrirë si shtet dhe nuk ekziston më dhe Serbia është shtet i ri, që ështëpranuar në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare si anëtar i ri pas vitit 2000. Rezolutës 1244 i pretendohet pronësia nga Serbia mbi bazen e një delegimi “fake” dhe të paligjshëm, që Mali i Zi ia ka bërë Serbisë, kur u ndanë në dy shtete. Ka qenë një veprim alla ballkanik dhe në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, si i Malit të Zi, ashtu dhe i Serbisë, sepse rezoluta 1244 është një akt i Këshillit të Sigurimit dhe vetëm Këshilli i Sigurimit ka të drejtën dhe kompetencën të ndryshojë, të amendojë apo të bëjë përcaktime të reja terminologjike të rezolutës së vjetër. Serbia dhe Rusia duhet të kishin kërkuar rezolutë të re nga KS i OKB. Kjo nuk është bërë dhe praktikisht rezoluta 1244 është e kapërcyer historikisht dhe e vdekur.

Fakti që presidenti i Rusisë ngrihet dhe kërkon pas 20 vitesh rikthimin  e ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës tregon se Moska jo vetëm nuk po demostron fleksibilitet, por një prapakthehu absurd historik, në një strategji të komplikimit edhe më shumë të klimës së bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo don të thotë se Rusia është shumë larg shpresave dhe iluzioneve që mund të kenë ndaj saj në Prishtinë, në Tiranë apo në Bruksel.

Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, në 17 janar në Beograd e cilësoi “sukses historik për Serbinë që 12 shtete kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën”. Dihet që bllokimi dhe tërheqja e njohjeve për Kosovën është operacion diplomatik ndërkombëtar i udhëhequr nga Moska. Ndaj presidenti rus iu drejtua me mburrje Serbisë: “Nëse ne jemi bashkë, ne na pret fitorja”.

Elementi i tretë, që doli nga vizita e presidentit rus, është se ai për herë të pare doli me tezën millosheviçiane “të gjithë serbët në një shtet”. Agjencia shtetërore ruse “Sputnik” në 17 janar jepte deklaratën e presidentit Putin atë ditë në Beograd: “Shikojmë me vëmendje gjithçka po ndodh në rajon, dhe shpesh na duket që vendimet e mëparshme kanë qenë marrë vetëm për të ndarë popullin serb në shtete të ndryshme dhe këto lloj vendimesh nuk do të praktikohen”. Se ku çuan teoritë fashiste “të gjithë serbët në një shtet” të kriminelit ndërkombëtar të luftës, Sllobodan Millosheviç, dihet, por pikëpyetja e madhe e re është përse po i ringjall presidenti Putin, i cili edhe në takimin, që pat me regjisorin boshnjak filorus, Emir Kusturica, folën për “Serbinë e bashkuar të pavarur”.

Në fakt ka nota humoristike në hiperbolën e presidentit rus se krijimi i ushtrisë së Kosovës rrezikon stabilitetin e Ballkanit, siç ka të tilla nota edhe zhurma ruse për taksën e Kosovës për mallrat serbe. Lexuesi duhet ta ketë të qartë se zhurma e madhe dhe kundërshtimi, që Rusia dhe Serbia po bëjnë për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe për taksën 100 përqind, nuk ka të bëjë as me ushtrinë dhe as me taksën. Thelbi i kësaj zhurme diplomatike dhe propagandistike është se Rusia dhe Serbia nuk njohin dhe nuk duan të njohin pavarësinë e Kosovës si shtet sovran. Nuk duan të njohin të drejtën e shtetit të Kosovës për krijimin e ushtrisë dhe ndërmarrjen e taksës si akte të një shteti sovran, që vendos vetë për çeshtjet e mbrojtjes së interesave të tij.

E habitshme është që ka shtete anëtare të BE dhe të NATO-s, që i janë bashkuar qendrimit të Rusisë dhe të Serbisë në këto dy pika. Kjo vjen nga që disa shtete të BE dhe të NATO-s po kërkojnë të luajnë një shah të ri gjeopolitik në favor të interesave të tyre të ngushta, duke sakrifikuar Kosovën.

Rusia nuk është e interesuar për zgjidhjen e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk e don as zgjidhjen, as normalizimin dhe as njohjen reciproke, sepse asaj i intereson konflikti në një rajon europian dhe atlantik si Ballkani. I intereson konflikti i ngrirë për të mbajtur Serbinë nën kontrollin e saj dhe rajonin nën tension të përhershëm.

Në kohën që kjo strategji tensioni rajonal është në zhvillim e sipër do të ishte naive të besohej se Rusia po shkon drejt njohjes së Kosovës.  Gjithkush e pa se me vizitën në Beograd presidenti rus personalisht u përpoq t’i jepte një impuls të ri tensioneve dhe konflikteve në rajon,  duke thirrur në takimet e tij në Beograd si udhëheqësin separatist të serbëve të Bosnjës, ashtu dhe udhëheqësit e opozitës proserbe dhe proruse të Malit ë Zi. Udhëheqësi separatist i serbëve të Bosnjës, Dodik iu ankua Putinit për boshnjakët dhe e siguroi se “serpska republika” nuk do e lejojë Bosnjë-Hercegovinën të hyjë në NATO.

Në prag të vizitës në Serbi Putini sulmoi Maqedoninë dhe të drejtën e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe kritikoi marrëveshjen midis Greqisë dhe Maqedonisë për zgjidhjen e konfliktit për emrin, gjë që e detyroi ministrinë e jashtme greke në 14 janar të dënonte Rusinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë.

Në një dinamikëtë tillë të ngjarjeve është shqetësuese nëse në disa qarqe politike në Prishtinë dhe në Tiranë kanë ndonjë iluzion se Moska do të ndihmojënë njohjen reciproke midis Serbisë dhe Kosovës. Nuk do ta çojnë Rusinë në atë drejtim as lëshimet apo “kompromiset e reja të dhimbshme” në dëm të sovranitetit të Kosovës. Nuk do ta zbusë Rusinë as ndonjë lëshim, që mund të sugjerohet për të pranuar ofertën, të cilën i ka drejtuar Tiranës qeveria e Rusisë për të financuar ristrukturimin e gjithë rrjetit hekurudhor të Shqipërisë. Diplomacia shqiptare, qoftë e Kosovës, qoftë e Shqipërisë, duhet ta lexojnë mirë vizitën e Putinit në Beograd dhe të njohin më thellë taktikat dhe strategjinë e diplomacisë ruse në Ballkan.

 

Forum preisdenti i Rusisë Shaban Murati Vladimir Putin