Editorial 4 Janar 2023, 21:15

 A mund të sjellin ndryshim zgjedhjet e 14 majit?

Shkruar nga Pamfleti
 A mund të sjellin ndryshim zgjedhjet e 14 majit?

Deri tani, nuk po shikohet gjë tjetër veçse një vijim i politikës së kontestimit pa kufi, e pa masë, për çdo gjë që bën qeveria apo krye bashkiakët e PS-së. Si logjikë e parë është krejt normale, pasi është puna e opozitës, por në fund njerëzit pyesin: kush është modeli politik e zhvillimor që do sjellë pjesa tjetër? Cilët janë njerëzit që ata propozojnë, projektet që kanë në kokë, ose idetë që kanë.

Shkruan Ylli Pata

Ka 24 orë që në qarqet sociale të mjedisit të opozitës ka nisur një gallatë me dy satelitët, që Edi Rama tregoi mbrëmë se janë lëshuar në orbitë.

Thënë të drejtën deri tani, kjo gallatë, është e shëndetshme, me ironi, me batuta, shaka me kripë, që i jep mjedisit shqiptar një dozë ironie, e cila përveçse e ç ‘tensionon, edhe e emancipon më shumë.

Gjithë ai seriozitet fals, patetizëm e mllef që lëshohet në Parlament apo panelet e darkës, sikur i kanë mbytur gjemitë, sikur nuk është aq real, por thjesht një shfaqe teatrale. Është krejt normale që mjedise e grupe të ndryshme të shoqërisë në vend të kontestojnë, tallin, përqeshin e kundërshtojnë nisma të qeverisë. Qoftë si ajo e satelitëve Albania 1 e Albania 2, apo edhe Paketa financiare që Kryeministri Edi Rama ka shpallur që do të shpërndahet në ditët e para të janarit.

Një shoqëri e shëndetshme nuk mund të jetë uniforme, qoftë edhe për nisma apo projekte që janë të rëndësishme apo dobishme, pasi debati, sidomos i bërë me inteligjencë e ironi, i jep mjedisit një dimension më të madh lirie.

Megjithatë kjo është punë e shoqërisë, e cila në fakt nuk e ka fare punë, po thjesht i vjen dhe e lëshon, sidomos sot në epokën e rrjeteve sociale.

Një opozitë e zgjuar, e kap këtë vibrim dhe krijon një komunimik me të gjithë mjedisin e shoqërisë, për të arritur në një vizion politik që të mos jetë produkt i vetëm kastës politike që drejton bajraqet tribale të saj.

Zgjedhjet vendore të 14 majit janë eventi më i rëndësishëm politik jo vetëm i vitit, por edhe i një periudhe të gjatë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.

Mazhoranca vjen në këto zgjedhje me një logjikë në dukje absurde. Partia Socialiste nuk do të garojë më 14 maj se sa bashki më shumë do fitojë, por sa nuk do të humbë. Pasi skandali politik i bojkotit të 30 qershorit 2019 i ka dhënë PS-së të gjitha bashkitë në vend. E nisur nga kjo, pesha, rëndësia, vizioni, ideja, por edhe topi në fund të fundit është në krahun tjetër.

Është një rast ideal, që providenca i ka dhënë asaj pjese politike që nuk identifikohet apo nuk është me Partinë Socialiste.

Një rast, që mund të shërbejë si një provë gjeneralë e nivelit të lartë për zgjedhjet e mëpasshme parlamentare në vend. Për të treguar se ka vizion, ka alternativë, ka ide, ka bujari për të hapur portat e saj për pjesë të shoqërisë që nuk janë militantë, për të sjellë propozime për krye bashkiakë të nivelit të lartë etj. Pra me një fjalë, për të imponuar një standard politik të nivelit të lartë, që e ngre stekën lart, natyrisht jo në orbitë.

Deri tani, nuk po shikohet gjë tjetër veçse një vijim i politikës së kontestimit pa kufi, e pa masë, për çdo gjë që bën qeveria apo krye bashkiakët e PS-së. Si logjikë e parë është krejt normale, pasi është puna e opozitës, por në fund njerëzit pyesin: kush është modeli politik e zhvillimor që do sjellë pjesa tjetër? Cilët janë njerëzit që ata propozojnë, projektet që kanë në kokë, ose idetë që kanë për projektet e mazhorancës që protestojnë duke nisur nga Porti Durrësit, satelitët, ndihma ekonomike etj etj.

Më e qarta ndër të gjithë deri tani ka qenë Adriana Kalaja që ka propozuar tritolin për pallatet e ndërtuara nga kompani të ndryshme në Tiranë, që natyrisht janë të hipotekuara. Enver Hoxha, tritolin ja vuri selisë së bukur të bashkisë së Tiranës për të ndërtuar muzeun kombëtar, por shtëpitë e ndërtuara nga pronarët, thjesht i shtetëzoi. Thuajse të gjitha ato banesa janë marrë nga trashëgimtarët e tyre pas vitit 1990. Njerëzit e dijnë që ndërtimi si fenomen nuk ndalet me vendim politik në një sistem kapitalist.

Të gjithë drejtuesit lokalë të PD-së kanë lejuar të ndërtojnë në vite e vite e kudo. Por problemi është tek vendi që do të duhet lejuar ndërtimi e ku jo. E këtu ka munguar një vizion politik, siç ka munguar në radhë të parë në modelin që i duhet të krijojë opozitës në një bashki, për të treguar se kush është.

Me njerëzit që kanë dalë deri më sot si nga foltorja, ashtu edhe nga pjesa zyrtare e PD-së, janë tentuar kandidatë që vijnë nga seksionet, jeta e partisë, protestat e beteja opozitare. Krejt normale, po sa prej tyre dialogojnë me pjesën gri të shoqërisë? Kasta politike e “përbindëshave” 30 vjeçarë insistojnë në aksiomën që “nuk ka rëndësi kush vjen, por të ikin këta se na e kanë sjellë në majë të hundës”.

Por kjo aksiomë është gjëja më e thjeshtë në botë, të cilën e shfrytëzon çdo opozitë, por nga ana tjetër, ajo punon për të hartuar programe, vizione, projekte, për të hapur dyert për shoqërinë dhe dialoguar me sa më shumë grupe shoqërore. Pasi, nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të ishte ndryshim por thjesht rrotacion. E në rastin aktual është më keq: riciklim mesozoik i specieve në zhdukje…

Editorial # 14 Maji ndryshim Zgjedhjet