Editorial 3 Shkurt 2023, 12:30

A rrëzohet Edi Rama me taktikën e gogolit?!

Shkruar nga Pamfleti
A rrëzohet Edi Rama me taktikën e gogolit?!

A rrëzohet Edi Rama me taktikën e gogolit?!

Beteja mes gogolëve nuk pjell gjë tjetër veçse përbindsha dhe gogolë siç janë bërë surretrit e dinosaurve tanë nga babëzia e pangopjes.

Tre pjesët e opozitës shqiptare, ajo e Alibeajt, ajo e Sali Berishës dhe e Ilir Metës, po vijojnë ‘t’i bien fyellit në një vrimë’ për rreth 10 vjet me radhë përballë Edi Ramës.

Për ta rrëzuar kryeministrin që është në mes të mandatit të tretë radhazi, opozita ka tentuar ta vizatojë Edi Ramën si nënën e të gjitha të zezave. E kanë quajtur të çmendur, të droguar, hajdut, pervers, kurvar, i dhunshëm, frikacak, azmatik, i palarë, nuk pret thonjtë, i lidhur me klanet më të frikshme të Botës që grabisin fëmijë për të marrë gjakun e për të ruajtur rininë e përjetshme, e gjëra të tilla monstruoze pa fund. Rezultati: Njerëzit që e urrejnë Edi Ramën nuk janë rritur, megjithëse janë rritur progresivisht njerëzit që janë të pakënaqur me qeverisjen e tij 10 vjeçare.

Ardhja nga SHBA e aferës McGonigal, ishte realisht një “dhuratë” mjaft bujare e Uashingtonit për opozitën shqiptare që gjendej në koma prej kohësh, si pasojë e mos kthjelltësisë së saj për të parë të vërtetën në sy.

E natyrisht që pritej që kjo aferë do të përdorej politikisht për ta goditur fort Edi Ramën, por edhe për të mobilizuar shpirtrat e venitura të opozitarëve shqiptarë.

Por çfarë po ndodh?

Thjesht një përsëritje e taktikës së vjetër të Gogolit; pra vijon vizatimi i Edi Ramës si një kuçedër e zezë që ka bllokuar burimin e shqiptarëve.

Këtë fabul që përgatisin kuzhinat e Sali Berishës dhe Ilir Metës, i besojnë vërtetë ithtarët e tyre fanatikë, por pjesa më e madhe e njerëzve bën një dallim, pasi gogolin e shikon tek fytyra e çakërdisur e Sali Berishës dhe portreti prej zombie, i shndërruar prej ndërhyrjeve estetike të Ilir Metës.

Pra për ta bërë më të qartë: votuesit e Partisë Socialiste, pra të Edi Ramës, edhe pse në shumicën dërrmuese janë të pakënaqur me qeverisjen, e do të donin një ndryshim të madh, përballë dy gogolëve të tjerë, preferojnë të mbajnë gogolin e tyre.

Pasi ju duket më hokatar dhe më pak i frikshëm se dy të tjerët. Ky është fiks perceptimi që vjen nga çdo sondazh që zhvillohet në vend si nga partitë, por edhe nga ndërkombëtarët në Shqipëri.

Dhe shpjegimi është krejt i thjeshtë: militantët tradicional të së majtës grupohen fort rreth partisë së tyre të vetme tashmë, pasi Rama i ka shkrirë të gjitha partitë e tjera të vogla, ndërsa elektorati gri, ose nuk voton ose në një pjesë voton Ramën për të mos zgjedhur Berishën.

Teoria e gogolit, i leverdis vetëm Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët sot po luftojnë për mbijetesë politike, ata duan të mbledhin rreth vetes sa më shumë fanatikë që e urrejnë Edi Ramën. E që të tillë ka shumë.

Por beteja e tyre në fund do të shkojë për hallet që u kanë rënë në vatër: Berishës për çështjet gjyqësore dhe ndëshkimin nga SHBA e Britania e Madhe, e Ilir Metës gjithashtu për çështjet gjyqësore dhe sanksionimin e pritshëm nga SHBA që ai e deklaroi mbrëmë.

“Kjo histori është hapur e nuk do të mbyllet më. Lista besoj do jetë më e gjatë”, tha Meta mbrëmë, duke ju referuar Non Gratave që priten të shpallen së shpejti.

Ndoshta shpallet edhe Edi Rama Non grata, pasi SHBA ka treguar se sanksionon edhe majtas siç ka ndodhur me Vangjush Dakon dhe Tomë Doshin. Por një betejë mes gogolëve nuk pjell gjë tjetër veçse përbindsha dhe gogolë siç janë bërë surretrit e dinosaurve tanë nga babëzia e pangopjes.

Edi Rama rrëzohet nga një fytyrë normale, një njeri që ngjan me shqiptarët normale që gjithë ditën u bie bretku për të ushqyer e shkolluar fëmijët.

Gogolët, i kanë të gjitha të siguruara, madje paguajnë edhe për të fryrë buzët e botoksin e idhtarëve fanatikë, në mënyrë që të mos ngjajnë të vetëm kur dalin në televizor. Se e ka thënë para ca kohësh Monika: Do dalim rrugës si zombie për të larguar Edi Ramën”! Ndaj nuk i votojnë njerëzit, se ju vijnë në mend këto pamje horror…/Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #A rrëzohet Edi Rama me taktikën e gogolit?! Gjergj Zefi

Editorial