Aktualitet19 Shtator 2022, 10:58

Absurde/ Zyrtarisht në kërkim, ama qeveria vazhdon i jep para dhe Klodian Zoto hap gjyq ndaj Pamfletit

Shkruar nga Pamfleti
Absurde/ Zyrtarisht në kërkim, ama qeveria vazhdon i jep para dhe

Absurde/ Zyrtarisht në kërkim, ama qeveria vazhdon i jep para dhe Klodian Zoto hap gjyq ndaj Pamfletit

Në epokën e superpropagandës dhe betonimit të një shteti autokrat në Shqipëri, edhe një hajdut ordiner si Klodian Zoto ka pritshmëritë e veta.

E kemi thënë dhe përsëritur shumë herë, nëse do të ishim një vend normal, skandali i inceneratorëve do të ishte i mjaftueshëm për ta rrëzuar qeverinë, pa mbushur 24 orë nga publikimi i tij. Nëse do të ishim një vend normal, një qeveri me një cv kaq të pasur kriminale si kjo e jona do ta kishte të vështirë të rikthehej në pushtet.

Por ne nuk jemi një vend normal. Jemi një vend ku korrupsioni dhe krimi drejtojnë shtetin dhe ku askush nuk mund të çuditet më me asgjë.

Prandaj edhe ne, të bindur ta çojmë deri në fund luftën tonë mediatike për të thënë të vërtetën, nuk u çuditëm edhe aq kur në adresë të medias tonë mbërriti një ftesë për gjyq.

Klodian Zoto, dora vetë, njeriu i “zhdukur” dhe i shpallur në kërkim nga drejtësia për skandalin e inçeneratorëve na ka hedhur në gjyq për… shpifje.

Po, po, e keni kuptuar shumë mirë. Me firmë të gjyqtares Blerina Muça, me datë 13 Tetor ne duhet të paraqitemi në gjyq për të dëgjuar Klodian Zoton se si ankohet për denoncimet e bëra nga “Pamfleti”, për paratë që ka vjedhur dhe vazhdon t’ia rrjepë arkës së shtetit, e nëse gjyqtarja e vlerëson të drejtë duhet t’i paguajmë edhe dëmshpërblim Klodianit sepse kemi thënë… të vërtetën.

Në një vend si Shqipëria as për t’u çuditur nuk mundesh më.

Ne nuk e dimë se çfarë ka menduar për mbrojtjen e tij Klodiani, por ndonjë gjë duhet ta ketë çuar ndër mend me siguri. Do ta shohim!.

Ne nuk e dimë se çfarë do të thotë Klodiani kundër atyre që kemi shkruar, ama e sigurta është se ne kemi thënë të vërtetën. Kemi thënë se megjithëse në arrati, ai dhe Mirel Mërtiri përfitojnë 98% të energjisë që prodhon landfilldi i Elbasanit deri më 2041. Kemi thënë që Klodiani dhe Stela Gugallja, paguhen edhe pse janë nën hetim. Kemi shkruar për historikun e pasur të tij në lidhje me përfitimet nga fondet publike dhe të tjera afera që tanimë janë nën hetim dhe për të cilat Klodiani është në kërkim.

Por, me sa duket, Klodiani është ndier shumë i fyer se nuk e kemi bërë “hero” aq sa ai ka pritshmëritë. Me siguri, Klodiani pret që mediat të shkruajnë për të si superheroi  që luan paratë e qeveritarëve dhe kur nënshkruan kontratat në emër të tij, vesh kostumin e Supermeni-it. Ai me siguri po ankohet se nuk kemi shkruar se sa “inteligjent” është treguar Klodiani duke marrë mbi vete kontrata, pas të cilave fshihen emrat e boss-ve dhe qeveritarëve shqiptar. Me siguri Klodiani ka pritur tjetër lloj imazhi për veten.

Dhe nuk e ka edhe aq gabim. Në një vend si Shqipëria as për t’u çuditur nuk mundesh më dhe asgjë nuk përbën lajm të jashtëzakonshëm.

Në epokën e super propagandës dhe betonimit të një shteti autokrat në Shqipëri, edhe një hajdut ordiner si Klodian Zoto ka pritshmëritë e veta. Gjykuar nga niveli dhe bëmat e bëra, me siguri Klodianit i duket vetja Superheroi që ka ëndërruar që fëmijë dhe thënia VETËM e vërtetës e ka fyer aq sa kërkon edhe dëmshpërblim.

Na ndje o Klodian, por nuk i heqim asnjë presje atyre që kemi thënë. Ke vjedhur paratë e shqiptarëve për hesap të dikujt dhe duhet të japësh llogari përpara drejtësisë për këtë. Pasi të jesh rrëfyer për çfarë ke bërë, pasi ta kesh shlyer krimin që ke bërë, atëherë po, hajde përballu në gjykatë edhe me ne.

Deri atëherë  shijo arratinë dhe paratë që kjo Qeveri kriminale deri në absurd vazhdon të të hedhë në llogari. Sepse, nuk dimë a e morët vesh apo jo: megjithëse në arrati, megjithëse nën sekuestro dhe nën hetim nga SPAK, kompanitë e Klodianit, vazhdojnë të marrin para nga qeveria jonë. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave vërtetojnë se për inceneratorët e Fierit pagesat vjetore të parashikuara nga buxheti ishin në vlerën e 376.4 milionë lek, të cilat janë alokuar plotësisht në fund të muajit gusht.

Qeveria jonë paralajmëron kriza e rritje çmimesh., bën postera e video për kursim, ama kur vjen puna për tipat si Klodiani, aha, nuk kursehet fare.

E kuptuat tani pse ankohet Klodiani dhe pse, edhe në arrati, hap gjyqe?!/Pamfleti

Kryesore “Pamfleti” Klodian Zoto Ne kerkim qeveria