Aktualitet 8 Gusht 2022, 08:20

“Adriatiku”, hoteli i dashurive nën survejimin e Sigurimit

Shkruar nga Pamfleti
“Adriatiku”, hoteli i dashurive nën survejimin e Sigurimit

“Adriatiku”, hoteli i dashurive nën survejimin e Sigurimit

Cilat kanë qenë plazhet e preferuara dhe si bënin shqiptarët pushimet para dhe pas viteve ‘50-të, në veçanti ata që preferonin detin? Durrësi, ai më kryesori, në tre muajt e verës, i frekuentuar nga aristokracia, pasanikët, por dhe nga vetë Mbreti Zog. Pastaj periudha e viteve 1960 – ’70 – ’80 – të, kanë qenë të veçanta për shqiptarët, individë apo familje që pëlqenin detin. Në ato fillime plazhet ishin të pakta dhe Durrësi, Vlora, Saranda ishin ato më kryesorët. Shëngjini filloi të preferohej me vonë, si dhe Divjaka, ndërsa Dhërmiu, apo bregdeti jonian, ndonëse pëlqehej ishte i kufizuar nga udhëtimi i largët, i vështirë dhe mundësia e pakët për sistemim.

Shkruan Uvil Zajmi

Në vitet e para qendra e ndalesës ishte vetëm “Hekurudha”, ku përqendrohej pjesa më e madhe e plazhistëve kryeqytetas dhe e atyre durrsakë. Pastaj vijonte zona e quajtur “Iliria”, “Teuta” dhe “Apolonia”, dytë parat me të cilat fillonte e gjithë zona e plazhit, të ndërtuara vite më vonë, ishin më pak të preferuara. E fundit ishte “Iliria”, pas të cilës vinte zona e “Bllokut” (e udhëheqjes së lartë të PPSH-së), pastaj dy kampet e pushimit apo Konvaleshenca e Ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Pastaj vijonte me Kampin e Pionierëve dhe stop. Shkëmbi i Kavajës njihej si emër gjeografik i mbuluar me pisha dhe as që bëhej fjalë për plazh. Vetëm Golemi, pesë km. pas Shkozetit, ku treni ndalonte, ishte një zonë jo e preferuar, e panjohur dhe me pak pushues ditorë dhe me disa kabina dërrase. Gjatësia nga “Teuta” deri tek “Iliria” ishte rreth 1.2 km., një largësi që përcaktoj, pasi çdo shtyllë ndriçimi me llamba neoni, ishte e distancuar 100 metra nga njëra-tjetra.

Takohemi tek “Breshka”……….!

“Tek Breshka”, apo takohemi te “Breshka”- ishte shprehja klasike e viteve të famshme, kur ndërtesa dykatëshe ishte në kulmin e famës së saj. Ka qenë për shumë kohë si pika më e rëndësishme e takimit, qëndrimit, frekuentimit për të gjithë por kryesisht për durrsakë e tiranas. Një arsye ishte, si pika më e afërt me stacionin e trenit, një tjetër se ishte i vetmi restorant-bar në atë zonë. Pra nga deti që ishte shumë afër, direkt e në restorant, apo në bar, gjeje një gotë birrë në këmbë, apo ulur, aty ku lejohej të hyje me rroba banje në restorant, si për djem ashtu edhe vajza. Përballë kishte edhe një një pistë restorant hapur e që funksiononte ditë e natë, bashkë me një orkestër argëtuese.

Por, “Breshka” ndodhej edhe afër hotelit “Adriatik”, aty ku vinin e qëndronin turistët e huaj. Në fillim hoteli është përdorur për të huajt, dhe deri në vitin 1950, në katin e dytë të tij, në ato 7-8 dhoma, janë sistemuar teknikë dhe specialistë rusë të ardhur për hapjen e tunelit të Shkozetit. Fillimisht kabinat prej dërrase ditore, të ndërtuara nga Rexhep Breshka, u ruajtën dhe u përdorën gjatë, por të amortizuara u zëvendësuan apo u ribënë me tulla, duke i ndryshuar destinacionin: nga ditore u transformuan në dy javore.

Në krahun jugor, Hotel “Breshka”, kufizohej nga një byrektore si dhe Hotel “Adriatik”-u, ndërsa mbrapa kishte hotelet “Butrinti” e “Kruja”. Në anën veriore, përbri kishte një pastiçeri me akullore, ndërsa përballë, kishte pistën-restorant dhe një urë të vogël dërrase përbri saj me kabinën që shpërndante varkat ditore. Me shtetëzimin e ndërtesës, restoranti i kaloi ndërmarrjes N.T.U.S.,(Ndërmarrja Tregtare e Ushqimit Social), ndërsa dhomat në katin e dytë, nuk shërbenin më për hotel, por jepeshin si dhoma plazhi për zyrtarë, sportistë, artistë, familje e personalitete të njohura të kohës

“Breshka” e dashurive të…!

Edhe sot, pas shumë vitesh dhe kur nuk gjen asnjë gjurmë të saj, të thuash “Breshka”, menjëherë të vjen në mëndje lokali i famshëm në plazh, tek “Hekurudha”. Pak e dinë historinë e vërtetë të kësaj ndërtese: U quajt “Breshka”, jo për formën, jo se mori emrin e dikujt, apo të simbolizonte diçka të veçantë. As vetë ndërtuesi i saj, Rexhep Çakrri, nuk e kishte menduare kurrë se çfarë fame do t’i jepte ajo kafshë e urtë e fisnike. Përpara asaj ndërtese dykatëshe modeste, për shumë dekada ka filluar e mbaruar sezoni i plazhit. Pikërisht përballë saj, janë shkruar dashuritë më të famshme të rinisë të asaj kohe.

Atje ishte moda, atje qëndronin ‘vip’-at e kohës, njerëz të njohur të artit e sportit, por edhe ata pa famë e popullaritet. Nuk ka pushues I asaj kohe që të mos kalonte një herë në ditë tek “Breshka”. “Broduistët” e Tiranës ishin protagonistët kryesorë të saj. Pikërisht në atë lokal, apo pistën përballë saj, janë organizuar vallëzimet mondane kur rinia e viteve ’60-’70-të, kishte kulmin e saj. Pikërisht në atë lokal, në atë vend, pra tek “Breshka”, shpërthenin shikimet e para, pastaj njohjet dhe dashuritë legjendare që sot, në moshë të madhe dikush e kujton me shumë nostalgji.

Edhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme për kohën. Pikërisht përballë “Breshkës”. Ndërtimi i saj u realizua në dy faza. Fillimisht u përdor ajo që ishte, pastaj u ndërtua ajo me beton. Në dreka e darkë aty ishte kulmi i fluksit. Të zije një tavolinë gjatë drekës apo darkës ishte e pamundur. Persona të familjes, i zinin tavolinat prej druri, disa orë përpara. Shërbehej birra, pjata me meze, raki, ndërsa në darkë funksiononte edhe orkestra, madje vallëzohej me shumë kënaqësi e pasion. Deri në vitet ‘60-të, zona e bregut ruhej apo kontrollohej nga i famshmi kapter (polic) Hasani. Për të pabindurit, ai kishte një dhomë izolimi në krahun e djathtë të “Breshkës”, ku i mbante një natë ata që thyenin rregullat, në veçanti djemtë vallëzues me të vajzat e huaja. Pastaj, mbajtja e rendit dhe qetësisë, ishte me e organizuar.

Orkestrat, muzikë e argëtim deri në mesnatë…!

Ishin ato që kanë argëtuar me vite breza plazhistësh gjatë muajve të verës. Ishin dy, njëra e vendosur tek pista e “Breshkës” dhe tjetra që qëndronte tek pista e hotel “Adriatiku”-t. Të dyja kishin në përbërje instrumente kalibri, si p.sh., ajo e “Adriatikut” me Sul Tufën në kontrabas, Hamit Carën në bateri, Spiro Kalemi saks, Gjon Simoni piano, V. Rijbini klarinetë dhe Rifat Dedja në fizarmonikë, apo të famshmin Bebek Koçin. Ajo e pistës së “Breshkës”, me emrin “Djemtë Durrsakë” përbëhej nga Genc Cara, Petrit Myshketa, Isuf Xhumri, Koçi Driza.

Të gjithë instrumentistët e grupit ishin mjeshtra, profesionistë, artistë të vërtetë në disa vegla, të njohur në atë mjedis, dhe të preferuar nga nga klientët, vallëzuesit, sidomos të huajt.

Njihnin mjaft mirë edhe këngët e kohës, fillimisht ekzekutonin kënga apo repertorin e Domeniko Modunjos, Pol Ankës, Luis Armstrong, Elvis Presly, me këngët e famshme Petit Fleur, Volare, Azzurro, Tequila, Marina, Speedey Gonzales. Luanin pjesë nga muzika e lehtë gjermane çeke polake, italiane, franceze dhe ato të pakta shqiptare. Në ato vite, u ndërtua edhe pista e “Iliria”, por aty nuk u lejua orkestra e të vallëzohej, pasi muzika, u konsiderua shqetësim për udhëheqësit e lartë të partisë dhe shtetit, që pushonin në “Bllok”-un e tyre, jo shumë larg nga aty.

“Adriatiku”, hoteli i dashurive nën survejim…!

Janë mes vitet ‘50-’60-të, kur në Plazhin e ri të Durrësit, nisën të ndërtohen disa godina masive si: komplekse, hoteliere me arkitekturë të dukshme sovjetike, në të cilin, u vendos në qendër hotel “Adriatik”, dhe në krah të tij edhe katër të tjera: “Apolonia”, “Kruja”, “Durrësi”, “Butrinti”. I pari, ai në rërë dhe afër detit, me “Breshkën” në krah, i rezervuar kryesisht për të huaj, trupin diplomatik, më rrallë për shqiptarë.

Ndryshe nga vilat, kabinat, hotel-turizmit garantonin ose mund të planifikoje vetëm një dhjetëditësh pushim në to. Rezervimi duhej bërë me telegram, dhe për këtë arsye, ditën e parë të vitit, me 1 janar, pas orës 24 kur të gjithë festonin Vitin e ri, dikush nga familja duhet të vraponte në Postën Qendrore, për të nisur telegramin në Drejtorinë e Turizmit Durrës, me kërkesën për një rezervim dhjetëditor. Në të kundërtën, të gjeje një dhomë në periudhë vere, ishte e vështirë.

Hotel-Turizmet ishin komode, me kushte modern, dhe një dhomë

kushtonte 3.600 lekë për çiftin. Nuk lejoheshin fëmijët e vegjël, dhe shpesh çiftet i fusnin ato nga dritaret, ose me mënyra të tjera për të mos rënë në sy nga sportelisti. Hotelet garantonin edhe ushqimin në restorantet, disa mjedise të mëdha ku shërbehej me kamerierë. Midis hoteleve, ishte edhe një pistë vallëzimi ku, në mbrëmje kishte muzikë nga një orkestër, kërcehej.

Për të siguruar një tavolinë, duhej që dikush nga familjarët të linte mesditën në det, dhe të shkonte herë për të zënë një të tillë. Gjithmonë nga kati i sipërm i “Adriatiku”-t, punonjësit e Sigurimit të Shtetit, kontrollonin me dylbi pushuesit, ato të huaj dhe kush nga shqiptarët tentonte t’i afrohej, miqësohej me ndonjërin prej tyre. Ndonëse zona para hotelit ishte e kufizuar me çadra dhe shezlonge vetëm për ta. Njohjet, bisedat, provokimet, miqësitë, etj., realizoheshin në thellësi të detit.

Të tilla kanë qenë në atë periudhë në dy pistat tashmë të famshme, atë të “Adriatiku”-t dhe “Breshkës”. Muzika vallëzimi fillonte në orën 20.00 dhe arrinte kulmin në 12- të natës, pastaj nuk lejohej. Në ato vite, në këto dy pista kanë vallëzuar shqiptarë e të huaj pa kufi. Çdo natë, të gjitha tipet e vallëzimeve, deri në çmenduri. Grupet e turistëve ishin prezentë dhe bashkë me ato shqiptarë, argëtoheshin nën tingujt e orkestrave. Kulmin e arrin një natë në korrikun e vitit 1964. Bashkë me grupet gjermano-lindore, kishte penetruat edhe një çift gjermano-perëndimor.

Kërcenin shumë bukur, aq sa të pranishmit, për t’i krijuar kushte, larguan tavolinat, duke zgjeruar pistën, ndërsa orkestra në këmbë shoqëronte vallëzimin. E veshur me një fustan të kuq, vajza habiti të gjithë, me kërcimin e jashtëzakonshëm. Muzika në kulm, tërhoqi vëmendjen e policisë që erdhën, duke ndaluar gjithçka. Me kujdes, çifti u largua fshehurazi për t’u futur e bashkuar me grupin e turistëve në çadrat e mëdha që kishin hapur. Pas këtij momenti, orkestrantët e dy pistave, u orientuan me program të kontrolluar dhe të mos dilnin jashtë tyre.

Miqësitë shqiptarëve me grupet gjermano-lindore

Deri në fund vitet ‘60-të, periudha e plazhit ka qenë një kohë e artë. Të rinj e të reja nga vendet demokratike, kryesisht nga Gjermania Lindore, vinin për pushime në Durrës. Madje duke ngritur kampingun me çadra në afërsi të “Breshkës”. Për dy muaj, ardhja e tyre ishte intensive dhe ishin të pranishëm të shumtë në numër. Për komunikimin me to, filloi të mësohej gjermanishtja dhe shprehjet “Wie geht’s”, “Alles Gute”, dëgjoheshin sistematikisht çdo moment të ditës. Pastaj, mbrëmjet dëfryese ishin ato më të spikaturat. Vallëzohej në lokalet e plazhit nga ku fillonin edhe njohjet, shkëmbimet, takimet e para, pastaj dashuritë midis djemve shqiptarë dhe vajzave gjermane, lidhje që edhe pas largimit të tyre vazhdonin me letër këmbimet dhe me premtimin, për t’u takuar sërish.

Por, më intensive, ky fluks ishte rreth viteve ‘70-të, kur turistët ishin edhe nga vende të tjera europiane. Të sistemuar në hotel “Adriatik”, pjesa më e madhe e tyre ishte nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit që, i ndiqte me shumë vëmendje lëvizjet e tyre. Çdo tentativë për të komunikuar me vajzat e huaja bëhej fshehurazi. Fillimisht ndonjë batutë në anglisht apo italisht në rërë, pastaj kur futeshin në det shfrytëzohej thellësia, për t’ju shmangur ndjekjes me dylbi nga një dhomë e hoteli “Adriatikut”. Ndryshe në darkë, takimi me to mund të bëhej më lehtë. Për disa vite, pastaj numri i tyre filloi të reduktohej, edhe ato pak që vinin ishin të izoluar, të kontrolluar dhe qëndronin para hotelit. Sidoqoftë ata që e kanë jetuar e kujtojnë me nostalgji atë periudhë, ato vite.

Varkat prej dërrase përballë Breshkës

Kanë qenë një ndër mjetet lundruese më argëtuese për plazhistët. Madje kishte radhë, për marrjen e tyre. Ato ishin të vendosura vetëm tek “Hekurudha”, përballë “Breshkës” dhe ishin prodhim i Ndërmarrjes së Portit Detar. Kishte me lopata, por edhe me motorë, “fuori bordo” quheshin. Të konsumuara, ndonëse lyheshin me bojë dhe dukeshin të mirëmbajtura, ishin po ato që servireshin ndër vite. Për dy persona ose më shumë, ato jepeshin me qira me 60 lekë ora.

Personi, i autorizuar që jepte varkën, kishte kabinën tek ura dhe një orë që saktësonte kohën e nisjes. Por, nga përdorimi, moskujdesja sistematike dhe konsumi, varkat fusnin ujë, çka i detyronin njerëzit që të përdornin një kanoçe, për largimin e ujit nga barka. Nuk ishin të shumta në numër, ishin të parrezikshme pasi, me to nuk mund të largoheshe shumë nga bregu dhe as mund të mendohej arratisja me to. E shumta ishte, që një largim diku larg, shfrytëzohej nga të dashuruarit.

Vite më vonë, u vendos edhe një anije udhëtuese për pushuesit, “Iliria” që nisej nga ura prej betoni tek “Teuta”. Pritej që të mbushej dhe për një orë ajo lëvizte me pushues “Teuta” – “Iliria” e kthim. Larja në det ishte e kufizuar, pasi fuçi të boshatisura ishin vendosur të baraslarguara nga bregu, si kufiri i largimit. Por, shumë e preferuar ishte trampolina dykatëshe prej hekuri, në thellësi përballë “Breshkës”.

Tek ajo mund të shkoje normalisht me not, të qëndroje të argëtoheshe. Një herë në ditë, çdo pushues e kishte për kënaqësi të shkonte tek trampolina, apo “zadra”, siç e quanin durrsakët. Kishte edhe një tek “Iliria”, por më e preferuar ishte ajo tek “Hekurudha”. Në fundjavë, ajo mbushej plot, pushtohej tërësisht nga plazhistë që qëndronin me orë të zgjatura atje.

“Breshka”, çfarë fundi…?!

Nuk duhet ta kishte të tillë, për atë që shërbeu, për kënaqësinë që i dha plazhistëve për historinë e nostalgjinë që mbarti në shumë vite. U quajt “Breshka” për arsyen që treguam më lart. Por, nuk i ngjau kafshës fisnike, për jetëgjatësi si dhe si simbol të shumë qytetërimeve e perandorive, që e kanë konsideruar të shenjtë e të paprekshme. Deri në fillim të viteve ‘70-të, kur pati kulmin, pastaj filloi të zbehej. Shumë pasione e ndaluan, u frenuan, u kufizuan dhe vetë ndërtesa, bashkë me restorantin dhe pistën përballë, dalëngadalë humbën shkëlqimin. Ajo filloi të amortizohej, të vjetrohet dhe askush nuk u kujdes më për të. Ndryshimet agresive pas viteve ‘90-të, e sulmuan duke e goditur edhe “Breshkën”, e cila nuk mundi t’i rezistoi ashpërisë së kohës e njerëzve të saj, duke u zhytur e humbur në thellësinë e detit, prej nga erdhi pa lënë asnjë gjurmë, ndonëse nuk e meritonte kurrsesi një fund të tillë.

Radiot në sinkron: Me veshin te ‘Hit Parade’ e Lelio Luttazit

Ka qenë një mekanizëm shumë interesant ai i sinkronizimit i radiove të dorës në rërë, nën çadra me muzikë. Nuk kishte shumë të tilla në qarkullim, pasi ato me transistorë sapo kishin dalë dhe mundësia për t’i sjellë në Shqipëri, ishte e vogël. I sillnin ato familje me origjinë italiane, marinarët, ose ata persona që dilnin jashtë, sportistë, artistë, shoferë të Parkut të Eksportit, diplomatë etj.

Kujtoj një të tillë që dëgjonim, e sjellë nga volejbollisti i famshëm i ekipit “Dinamo” dhe përfaqësueses, Asllan Rusi. Kryesisht ishin pronë e durrsakëve. Sidoqoftë me kalimin e viteve, ato u shtuan në numër dhe ishin të pranishme dhe si një pjesë shumë e rëndësishme e plazhistëve.

Por, sinkronizimi i tyre, gjatë emisionit muzikor, si ai i të hënës dhe të premtes në orën 13.00 apo 13.20 “Het Parade” e Lelio Lutazit, apo “Un disco per le state”, në mënyrë automatike dhe i menjëhershëm i radiove, të ishin në të njëjtën frekuencë gjatë gjithë gjatësisë së plazhit, ishte e jashtëzakonshme.

Dëgjoheshin me pasion të madh Adriano Çelentano, Xhani Morandi, Lucio Battisti, Papalardo, Tessuto, Albano, Mal, Reitano, Masimo Ranieri, Little Tonny, Xhani Nazzaro, Endrigo, Nikola Di Bari, Leali, Don Backy, Mina, Pati Pravo, Vanoni, Milva, Zanicchi, Cinquetti, apo grupet nga Nomadi, Dik Dik, Camaelonti, Equip 84, kënga e famshme “Ho scritto t’amo sulla sabbia”, nga Franco I e Franco IV, “L’attore”, “Una ferita in fondo al cuore”, Canzone, Storia d’amore, Il Ragazzo della Via Gluck, Il Sole, “Cuore matto”, Lisa dagli occhi blu”, Occhi neri”, etj.

Por edhe muzikë shqiptare, këngëtarët Vaçe Zela, Rita Vako, Nikolin Gjergji, Qemal Kërtusha, etj., etj., ishin shumë të dëgjuar. Ishte koha kur ndjehej frymë për hapje ndaj botës, një rini pasiononte larg çdo censure e, me shpresë të madhe drejt Perëndimit.

Xhiro e ditës, por edhe e darkës

Ka qenë dhe mbetet unikale. Të gjithë në ujë, por edhe në të famshmen xhiro. Paradite detyrimisht duhej bërë xhiro, një ecje në grup gjatë bregut fillimisht në distance të shkurtra, pastaj nga “Teuta” deri tek “Iliria”. Natyrisht tek “Breshka” ishte qëndrimi më i zgjatur dhe më provokues. Turma vërshonte pa kufi, nën diellin, të nxehtin, me apo pa kapele mbrojtëse. Të preferuar dhe tërheqës ishin ato djem e vajza me trupa të bukur, personazhe të njohur, sportistët e artistë në plan të parë.

Në ato xhiro shkëmbeheshin shikime, ngacmime apo simpati pas të cilave shpërthenin dashuritë. Edhe në darkë, nën dritën e neoneve, rituali përsëritej me të njëjtin intensitet, deri në orët e vona. Pastaj një pjesë preferonte pistat me orkestër, të tjerët në gjumë. Durrsakët ktheheshin me biçikleta apo trenin e fundit në Durrës, tiranasit shpërndaheshin në vend-fjetjet që kishin siguruar.

Të shtunën e të dielën, fluksi dyfishohej. Sidomos gjatë kohë së plazhit, “parade” kishte protagonistët e saj sistematikë e shumë të njohur. Imitoheshin divat e Hollywood, në veçanti Steve Revees. Një mashkull me trup të bukur preferohej nga vajzat dhe ishte objekt i diskutimeve ditore, çka u kthye në një mani për të gjithë. Pastaj fundi i sezonit: Si me thikë, plazhi boshatisej dhe dukej një shkretëtirë e vërtetë.

Bregut i mungonin njerëzit, nuk kishte më mbrëmje të zhurmshme në veçanti “Breshka” mbetej e vetmuar. Shtatori sillte tjetër atmosferë, fillonin shkollat, universitetet, të gjithë I riktheheshin punës së përditshme duke lënë pas një sezon veror, me njëmijë kujtime, në pritje të tjetrit./Memorie.al

Dossier Adriatiku hoteli i dashurive survejimin e Sigurimit Uvil Zajmi