Politike13 Korrik 2022, 19:06

Afera e lobimeve alarmon çiftin presidencial/ VOA “gozhdon” Kryemadhin për paditë e Valterit, kryetarja e LSI sulmon drejtësinë

Shkruar nga Pamfleti
Afera e lobimeve alarmon çiftin presidencial/ VOA “gozhdon”

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka sulmuar drejtësinë. Ajo ka dhënë një intervistë në “Zërin e Amerikës”, ku foli për protestat dhe inceneratorët, ndërsa u pyet edhe për paditë që ka bërë ish-deputeti Halit Valteri.

Gazetarja e VOA e pyeti drejtpërdrejt Kryemadhin për aferën me lobimet, por ajo i dredhoi pyetjes. Kryemadhi u mjaftua me fjalët se ka bërë një padi për shpifje ndaj tij, ndërsa kaloi te amnistia fiskale dhe sulmet ndaj drejtësisë.

Zonja Kryemadhi, së fundmi ka pasur një denoncim ndaj jush dhe funksionarëve të lartë të LSI nga ish-deputeti Halit Vlateri. Ai ju akuzon për kontrata lobimi me fonde të padeklaruar apo skema pastrimi parash që burojnë nga korrupsioni sipas tij. Cila është përgjigja juaj?”, pyeti gazetarja e VOA.

Por kryetarja e LSI nuk dha asnjë shpjegim për akuzat e Valterit, i cili ka depozituar në SPAK dy dosje shumë voluminoze. Ajo sulmoi drejtësinë.

 “Zëri i Amerikës e di si funksionojnë kontratat e lobimit. Nuk kam ndërmend të merrem me të. Kam bërë një kallëzim të rremë dhe nuk merrem me të. Skandali i inceneratorëve ku ne presim të shikojmë 128 mln euro që kryeministri thotë që duhet të investoheshin nga koncesionari i Tiranës, kjo nuk ka ndodhur. Paratë janë përdorur për blerjen e mediave, të politikanëve dhe të institucioneve  ndërkombëtare. Po të kishte një sistem drejtësie, pra SPAK do të duhet të kishte zbardhur edhe të gjithë futjen e parave që vijnë jashtë biznesit shqiptar, vijnë në para shumë të pista dhe kanë dëmtuar ekonominë shqiptare.

Amnistia fiskale është një amnisti kriminale, e cila tjetërson paratë e krimit, drogës dhe trafiqeve të tjera për ta legalizuar në Shqipëri. Unë nuk mendoj që amnistia fiskale, që në ligjërate të drejtë sipas kryeministrit ka të bëjë me çështjen e diasporës. Unë nuk mendoj se ka ndonjë emigrant në Amerikë që do të sjellë 2 mln dollarë kesh, se nuk të lë njeri.

Mendoj që kjo është një manipulim jo vetëm i opinionit publik, por edhe mund të shpërbejë për pastrim paraje të shumë grupeve kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë”, tha ajo.

Politike Kryemadhi lobime Valteri