Editorial31 Janar 2023, 13:28

Afera e zyrtarit të FBI përmbys raportet në PS

Shkruar nga Pamfleti
Afera e zyrtarit të FBI përmbys raportet në PS

Afera e zyrtarit të FBI përmbys raportet në PS

Të gjitha këto hamendësime kanë qarkulluar prej mbrëmë në darkë në grupin parlamentar të PS-së, i cili është në një lloj kaosi, të paktën deri të enjten ku Edi Rama do të mbajë një fjalë në grup, e cila pritet të jetë e fortë.

Deklarata e Niko Peleshit në Komisionin e Sigurisë në lidhje me çështjen “McGonigall”, duket se i ka komplikuar më shumë gjërat se i ka ndrequr.

Fshehja e gjatë e Edi Ramës pas shpërthimit të skandalit, ka sjellë një irritim të kryeministrit me ministrat e tij, të cilët nuk dolën asnjëri në mbrojtje të shefit të madh. As Belinda, as Olta, as Bledi Çuçi e as Nikoja. Të cilët i ka mbrojtur dhe i ka anëtarë qeverie që prej legjislaturës së shkuar.

Të vetmit që nuk pritën të marrin një urdhër nga shefi ishin “mëkatarët” Taulant Balla e Damian Gjiknuri. Ky i fundit, madje edhe i përfshirë në çështje, pasi siç ka dalë nga fotot e publikuara këto ditë, e ka shoqëruar ish-zyrtarin e FBI-së në udhëtimet e tij në Kukës e Tropojë së bashku me njerëzit e tjerë të përmendur në aferë.

E kjo sjellje e “teknokratëve” që Edi Rama i ka bërë shefa politikë të PS-së në qarqe, e ministra që administrojnë shumë para, mësohet se e ka xhindosur keq kryeministrin. Madje kjo u pa edhe në shfaqen e përbashkët për Portin e Durrësit me Belinda Balluku, ku ftohtësira mes të dyve ishte me më shumë gradë nën zero se ajo e Korçës apo e Kukësit.

Po siç mësohet, inatin më të madh e ka me Çuçin, Oltën dhe Nikon, të cilëve jua ka bërë benë, e mendohet se do t’i zëvendësojë shpejt e shpejt.

Sherri i sotëm mes oficerëve të dy njësive elitë të policisë, nuk është gjë tjetër veçse një reflektim i situatës së konfliktit mes shefave. Ajo që Sali Berisha tha për dorëheqje të ministrave, nuk se e ka fjalë në ajër, edhe pse Saliu thotë shpesh gjëra kot.

Deklarata e Berishës merr shkas nga një informacion i shpërndarë nga Edi Rama nëpërmjet oligarkëve, se një ministër i ka dorëzuar çelësat që të martën në mëngjes. Nuk dihet në është Bledi Çuçi, Olta Xhaçka apo Balluku, por fjalët tashmë kanë marrë dhenë. E me nisjen nga SPAK të hetimeve ndaj Ramës për çështjen “McGonigall”, e ‘zhvirgjëron’ atë, të paktën nga aspekti i dyshimeve të organeve të drejtësisë. E frika e Ramës është se mos SPAK ka marrë sinjale nga Uashingtoni për këtë hap të tillë. Në përgjigje të gjithë kësaj, mësohet se Rama do ta mbushë qeverinë me njerëz që kanë ‘skelete në dollap’, që në fund kur të ndodhë ndonjë hataja, do të sillet me vrazhdësi, duke mos përdorur as standardin e dorëheqjes e as atë të mos mbrojtjes së njerëzve të hetuar. Orët e fundit po flitet se Rama kërkon të rikonceptojë një kabinet krejt politik, duke sjellë Taulant Ballën Zv.kryeministër dhe ministër të Brendshëm, Gjiknurin tek Mbrojtja e madje ka fjalë se mund të kthejë edhe Arben Ahmetajn në qeveri. Një tjetër variant është që të bëjë Pandeli Majkon ministër të Brendshëm dhe Ahmetajn në postin e ministrit të Energjitikës. Të gjitha këto thashetheme kanë qarkulluar prej mbrëmë në darkë në grupin parlamentar të PS-së, i cili është në një lloj kaosi, të paktën deri të enjten ku Edi Rama do të mbajë një fjalë në grup, e cila pritet të jetë e fortë. E të gjitha këto thuhet do të ndodhin edhe me një vendim të daljes në gjendje të lirë për shkaqe shëndetësore të Lefter Kokës nga paraburgimi.

Dukeshin si zëra në eter deri sot në mëngjes, por nga konfirmimi prej Sali Berishës dhe sherrit të rëndë të policëve sot, duket se realisht kemi të bëjmë me një zhvillim të rëndësishëm, që në një provincë si Shqipëria, çdo detaj ka peshën e vet…/Pamfleti

Editorial #Afera e zyrtarit të FBI përmbys raportet në PS