Dosja e zezë23 Shtator 2022, 18:05

Afera me kompleksin “Partizani” dhe tragjedia e Gërdecit, kush janë dy gjeneralët që fundosin Berishën?

Shkruar nga Pamfleti
Afera me kompleksin “Partizani” dhe tragjedia e Gërdecit, kush

SPAK-ut i mjaftojnë dëshmitë e dy gjeneralëve për të fundosur familjen Berisha. Te afera me kompleksin “Partizani”, i pari që goditet është dhëndri i Berishës, i cili ka ndërtuar kulla aty. Te “Gërdeci” është djali i ish-kryeministrit që rrezikohet.

Prokuroria e Posaçme ka shkaktuar drithërima në familjen Berisha. Dy grupe prokurorësh, po hetojnë me shpejtësi dy prej aferave më të mëdha në vend, siç është ajo me privatizimin e kompleksit “Partizani” dhe tragjedia e Gërdecit.

Për të parën janë marrë në pyetje ish-ministrat e Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe Gazment Oketa, ndërsa pritet të merret në pyetje Sali Berisha bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Sa i takon Gërdecit, prokuroria ka dërguar një shkresë në SHBA, ku kërkon të merret në pyetje Efraim Dioveroli, drejtuesi i kompanisë që u përfshi në trafiqe fishekësh.

Pra duket qartë se gjërat po lëvizin, por duket se telashet do të shtohen dhe më shumë, për familjen Berisha, nëse SPAK heton si duhet. Janë dy ish-ushtarakë, që kanë dijeni të plotë për të dyja aferat.

Afera me kompleksin “Partizani”

Për aferën me kompleksin “Partizani” është gjenerali Vladimir Qiriazi. Kur Berisha firmoste vendimet e privatizimit të kompleksit, Qiriazi ishte drejtuesi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të FA. Ai është i vetmi person që refuzoi të firmoste dokumentet që i vinin nga qeveria. Madje kjo i shkaktoi atij shtrenjtë, sepse u ul në detyrë nga presidneit i asaj kohe, bamir Topi.

Një gjë e tillë faktohet dhe në kabllogramet e ambasadës amerikane. Në kabllogramin e 8 shtatorit të vitit 2009, pra 6 ditë më vonë, të publikuar nga Wikileaks, shpjegohet se prona që ndodhet në qendër të Tiranës është nën pronësi të ushtrisë.

Si kreu i Komandës së Logjistikës, mbështetja e Qiriazit për demilitarizimin do të mungojë. Megjithatë më shqetësuese është mungesa e transparencës në këto emërime, natyra e tyre ndëshkimore dhe lidhjet me korrupsionin. Për fat të keq, vazhdon të jetë një praktikë e zakonshme, kudo në qeverinë shqiptare për vendimet mbi emërimet në cdo nivel, të cilat janë të njëanshme nga maja, pa konsultime, një praktikë që ndalon zhvillimin e një kuadri profesional të nëpunësve civilë apo oficerëve ushtarakë”, thuhet aty.

Ndërkohë dje, gjenerali doli në një studio televizive. Ai tregoi se për 6 muaj, kanë tentuar që t’i marrin firmën për kontratën e privatizimit, por ai ka refuzuar.

Po ashtu ai tha se ishte një proces i gjithi fiktiv. “Ishte procedurë e gjitha fiktive. S’po them që kam patur presion. Më është kërkuar përmes urdhrave dhe shkresave dhe unë i kam kthyer përgjigje sipas ligjit. Ka ardhur antikorrupsioni i zotit Bylykbashi dhe më ka kërkuar që ta firmosja atë gjë duke më thënë se pronarët që e kërkojnë kjo mund të shkaktojë probleme për shtetin, unë i kam çdo gjë sipas ligjit. Pasi ika, që më shkarkuan në muajin shtator nuk e di çfarë është bërë. Deri në momentin që kam qenë në komandë, unë nuk e kam firmosur sepse ka qenë antiligjore. Për zotin Jamarbër që më akuzon mua për të korruptuar më vjen shumë keq se unë e di çfarë kam hequr pas kësaj procedure. Unë kam qenë punonjës  shteti, kam zbatuar detyrat në mënyrën më serioze”, tha gjenerali.

Tragjedia e Gërdecit

Gjenerali i dytë që ka në dorë fatin e familjes Berisha, është Luan Hoxha. Ai është ndër individët që pati guximin të flasë për tragjedinë e Gërdecit. Ai ka dhënë një dëshmi në ambasadën amerikane, ku përmend ish-ministrin e Mbrojtjes dhe djalin e ish-kryeministrit.

Një kabllogram i publikuar nga Wikileaks, tregon se çfarë ka deklaruar Hoxha. “Hoxha tha se, kur vizitoi Gërdecin në mes të vitit 2007, ushtarët e tij po i kryenin këto dy detyra dhe në sipërfaqe nuk dukej se kishte diçka të dyshimtë. Ai akuzoi se gjatë gjysmës së dytë të projektit, duke filluar nga dhjetori 2007, ai ishte urdhëruar nga Mediu, për shqetësimet e tij të deklaruara me shkrim kryeministrit Berisha (dhe Kryetares së Kuvendit Topalli dhe Mediut), si dhe pas presionit të drejtpërdrejtë nga telefoni nga “një i ri”, të cilin më vonë e identifikoi si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që të vazhdonte të dorëzonte municione të kalibrit të lartë në Gërdec dhe ta bënte këtë gjë pa vonesa”, thuhet në kabllogram.

Por sipas burimeve, SPAK mund të kërkojë dëshminë e Luan Hoxhës. Nëse ndodh kjo, atëherë rrezikohet gjithë piramida e qeverisë Berisha. Në korridoret e politikës flitet se dëshmia Hoxhës mund të ketë pasur rol në shpalljen e Berishës “non grata”. Sot që flasim gjenerali Hoxha ka marrë azil në SHBA.

Pra SPAK-ut i mjaftojnë dëshmitë e dy gjeneralëve për të fundosur familjen Berisha. Te afera me kompleksin “Partizani”, i pari që goditet është dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili ka ndërtuar kulla aty. Te “Gërdeci” është djali i ish-kryeministrit që rrezikohet. Ndërkohë Berisha është në krye të të dyja aferave. /Pamfleti

Dosja e zezë e maskaradës politike 30 vjeçare Afera Berisha Gërdeci