
Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka bërë një deklaratë të fortë për Portin e Durrësit. Teksa Kuvendi ende vijon diskutimet, Tabaku tha në një emision se Komisioni Evropian po e ndjek me shumë shqetësim marrëveshjen me arabët.
Por ajo shkoi më tej duke deklaruar se ka të dhëna të sigurta se KE ka nisur një hetim legjislativ, ndonëse marrëveshja nuk ka hyrë në fuqi.
“Bëhet fjalë për një procedurë të përshpejtuar dhe pa garë dhe lidhet me zbatimin e MSA dhe bëhet fjalë për shkeljen e konkurrencës së lirë dhe prek Komisionin. Ashtu siç deklaroi Komisioni dje, por edhe zyra këtu, ka nisur një investigim për këtë rast, siç ndodhi për aeroportin e Vlorës, teatrin etj”, tha Tabaku.
Më tej ajo foli dhe për debatin e mbajtur në Kuvend. Po ashtu tha se vetë deputetët kanë informuar Brukselin për këtë aferë.
“WBIF është një instrument që qeveria shqiptare synon të fitojë. Një ndër projektet që ka fituar qeveria shqiptare është porti i Durrësit. Dhe të gjithë deputetet i kanë nisur një shkresë se aktiviteti i tyre ka një rrezik. Ka dhe kosto të tjera përveç kostos së aseteve”, tha Tabaku.
Sot u bë me dije se Bashkimi Europian ka anuluar grantin për Portin e Durrësit. Janë 28 milionë euro që u bllokuan. Vetë Ministrja Balluku deklaroi se ishte kërkesë e saj, por nëse është e vërtetë duket qartë se qeveria i trembej një hetimi nga BE.