
Grupi i Enkelejd Alibeajt ka propozuar një paketë antikorrupsion në Kuvend.
Ka qenë deputetja Jorida Tabaku ajo e cila në një deklaratë për mediat u shpreh se ata kanë propozuar amendime në 5 ligje, më konkretisht: në ligjin për prokurimet publike; për koncesionet; investimet strategjike; komisionet hetimore dhe ligjin për rregullimin e territorit.
“Rritja e kërkesës së llogarisë, forcimit të kushteve për dhënien e tenderave publike, duke nisur nga ato normale duke vazhduar me ata sekretë; rritja e transparencës dhe së fundmi rritja e llogaridhënies dhe përgjegjësisë për këdo që merr një vendim me dëm për buxhetin e shtetit. Unë besoj që qëllimi i çdo ligjvënësi është që të ngrejë barrierat mbrojtëse që duhet të ketë vendi ndaj korrupsionit. Natyrisht, mbetem e bindur që çdo gjë është në dorën e qeverisë shqiptare. Unë mbetëm e bindur që vullneti për ta luftuar korrupsionin është me qeverinë”, tha Tabaku.
Sipas saj, këto amendime synojnë të forcojnë zbatimin e vullnetit të parlamentit dhe pakicës parlamentare, për të rritur kontrollin dhe llogaridhënien.
“Ne i japim zgjidhje problemeve kryesore që ekzistojnë duke filluar nga tenderat që sot janë pa garë, duke vazhduar me tenderat të cilët sot konsiderohen sekret; me burimet e financimit të kompanive të cilat sot janë kompani që nuk i njeh askush dhe bëjnë biznes me shtetin. Duke vazhduar me aksesin e informacionit, por njëkohësisht me transparencën dhe duke përfunduar me llogaridhënien”, tha ajo.
Ajo evidentoi raporte ndërkombëtare që e rreshtonin Shqipërinë nga vendi më i korruptuar në rajon në vendin e një shteti të kapur nga interesa korruptive.
“Asnjëherë nuk ndiej kënaqësi kur lexoj raporte ndërkombëtare të cilët e citojnë Shqipërinë për situatën e korrupsionit ashtu siç është. Në fakt sot: 1. Shqipëria ka rënë me 27 vende në Indeksin e Transparency Intentional që nga viti 2016; 2. Shqipëria është në nivelin e kapjes së shtetit, ku sot korrupsioni bëhet me ligje;12 ligje konsiderohen si ligje për kapjen e shtetit, 10 prej tyre janë miratuar në 9 vitet e fundit; 3. Korrupsioni është endemik dhe i përhapur në çdo institucion thotë Progres-Raporti, por njëkohësisht dhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit; 4. Raporti i Gjykatës Europiane të Auditimit thotë që 1 në 3, 30% jepen pa garë; 5. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konsideruar dëm ekonomik në 8 vitet e fundit 8 miliardë euro, buxheti i 2 viteve me radhë”, tha Tabaku.