Aktualitet 1 Tetor 2022, 21:07

Agjenda e Yuri Kim dhe paranoja e Berishës!

Shkruar nga Pamfleti
Agjenda e Yuri Kim dhe paranoja e Berishës!

Takimi i ambasadores Yuri Kim me Ilir Metën ka ngjallur menjëherë paranojat e Sali Berishës se ky i fundit është duke flirtuar me amerikanët që këta t’i lajnë hesapet kollaj me Berishën.

Shkruan Dritan Hila

Me dy lëvizje të njëpasnjëshme, opozita ka dëshmuar se është më e përçarë se kurrë.

Takimi i ambasadores Yuri Kim me Ilir Metën ka ngjallur menjëherë paranojat e Sali Berishës se ky i fundit është duke flirtuar me amerikanët që këta t’i lajnë hesapet kollaj me Berishën. Arsyeja amerikane e takimit Kim-Meta-Kryemadhi nuk dihet. Por cilado qoftë arsyeja e takimit, në teatrin shqiptar, Kim e ka rehabilituar perceptimin publik që për ta si dyshe në muzgun e tyre politik dhe kandidatë për “non grata”, por njëkohësisht ka ngjallur edhe dyshimet e forta të Berishës se po e shesin.

Dhe nuk ka vonuar reagimi i tij duke deklaruar për të disatën herë se konkurrenti për kreun e bashkisë së Tiranës do të zgjidhet nga primaret brenda PD.

Vështirë se Ilir Meta ka ambicie reale që të jetë kandidat përballë Veliajt, sikurse nuk ka ndërmend të anëtarësohet në PD që të konkurrojë në primare. Por deklarata e pa kërkuar e Berishës, ishte pikërisht që t’i tregonte partnerit të tij opozitar se aleanca sikundër dasia mes tyre, i ndan shumë pak.

Berisha dhe Meta në bashkëqeverisjet e tyre kanë vrarë e vjedhur bashkë, por kjo asnjëherë nuk e ka bërë paktin mes tyre të çeliktë.

Sot, pas deklaratave reciproke dhe dyshimit të fortë të Metës se dosjen e bashkëpunimit të tij me sigurimin e ka dhënë Berisha, ka bërë që ky bashkëpunim është në pikë të ulët.

Ndërkohë asnjë përpjekje e Berishës që të afrojë krahun tjetër në bashkim nuk ka. Grupi i Bashës i kërkon largimin, ç’ka është e papranueshme për Berishën. Dhe kjo e bën akoma më të fraksionuar opozitën.

Ndërkohë zgjedhjet lokale po vijnë dhe në PS Rama ka sheshuar dilemat se kush do të drejtojë Tiranën në katër vitet e ardhshme dhe kush do të jetë trajner i ekipeve të qarqeve në garë. Dhe kjo përçarje e opozitës e bën klimën të tillë që një ripërtëritje e rezultatit të 2019-ës mos të jetë larg.

Forum #Paranojat Berishës Yuri Kim