Kosova27 Nëntor 2022, 13:17

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Në mbledhjen e sotme të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë në prag të festës së 28 nëntorit, është vërejtur mungesa e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe atij të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Liderët e partive opozitare të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në këtë organizim të përbashkët që është mbajtur për herë të parë për shkak të angazhimeve të tyre të tjera.

Nga AAK-ja i kanë thënë Pamfletit se “Haradinaj ka pasur agjendë në Kosovë”, duke mos treguar detaje më të hollësishme lidhur me agjendën e tij.

Pamfleti ka mësuar se edhe kryetari i LDK-së, që në Kuvendin e Kosovës mban pozitën e deputetit, nuk ka marrë pjesë në këtë ngjarje për të njëjtën arsye, sepse “ka pasur angazhime të tjera”.

Në këtë takim i pranishëm është parë lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë për herë të parë e kanë organizuar këtë mbledhje për të shënuar 110 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij ka thënë se Kosova dhe Shqipëria, duhet të jenë më shpesh së bashku, jo vetëm nëpër festa, ndërsa homologu i tij shqiptar, Edi Rama, ka përmendur LDK-në dhe UÇK-në si dy faktorë pa të cilët nuk do të mundësohej ardhja e kësaj dite.

Prishtine AAK LDK Lumir Abdixhiku Mbledhja e kuvendeve në Tiranë Ramush Haradinaj

Kosova