
Rreth 4 milionë njerëz në të gjithë Ukrainën po goditen nga ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të fushatës së bombardimeve të Rusisë, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shkruan “The Guardian”.
Operatori i energjisë për rajonin e Kievit është shprehur se po punojnë për të parandaluar një ndërprerje të plotë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se kishte marrë një telefonatë nga homologu i tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, të premten dhe i kishte kërkuar Teheranit të ndalonte dërgimin e armëve në Rusi.
Ukraina dhe aleatët perëndimorë akuzojnë Iranin për dërgimin e dronëve “kamikaze” në Rusi, të cilët janë përdorur për efekt shkatërrues kundër infrastrukturës ukrainase. Irani i mohon akuzat.
Të paktën katër persona u vranë dhe 10 u plagosën kur disa qytete fqinje me termocentralin Zaporizhzhia të pushtuar nga Rusia u goditën nga bombardimet, tha një deklaratë nga zyra presidenciale e Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë 275 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën, duke përfshirë armë, municione dhe pajisje nga inventarët e departamentit të mbrojtjes amerikane, tha sekretari i shtetit. “Ne po punojmë gjithashtu për t’i siguruar Ukrainës aftësitë e mbrojtjes ajrore që i nevojiten me dy Nasams fillestare të ofruara nga SHBA, të gatshëm për dorëzim në Ukrainë muajin e ardhshëm,” tha Antony Blinken.
“Dhe ne po punojmë me aleatët dhe partnerët për të mundësuar dërgimin e sistemeve të tyre të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.”
Pasuritë që u përkasin individëve rusë dhe bjellorusë të sekuestruara nga Ukraina mund të përdoren për përpjekjet e mëdha të rindërtimit të pasluftës , citohet të ketë thënë ministri ukrainas i financave, Serhiy Marchenko.
Qeveria ka ngrirë asetet ruse dhe bjelloruse në Ukrainë me vlerë rreth 44 miliardë hryvnia (1.21 miliardë dollarë) që nga fillimi i pushtimit të Moskës, sipas Byrosë së Sigurisë Ekonomike, një agjenci shtetërore.
Bashkimi Evropian ka emëruar një gjeneral polak, Piotr Trytek, për të udhëhequr një operacion të ri stërvitor me trupat ukrainase. Trytek, 51 vjeç, u zgjodh si pjesë e zotimit të BE-së për të rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Zëvendës shefi i parë i kabinetit të Vladimir Putin ka vizituar qytetin ukrainas Kherson të kontrolluar nga Rusia. Sergei Kiriyenko ndaloi në një port traget ku qindra njerëz po largoheshin me urdhër të autoriteteve ruse.
Kërcënimi i një zyrtari rus për të goditur satelitët perëndimorë që ndihmojnë Ukrainën , ka ngritur shqetësime mes juristëve të hapësirës dhe drejtuesve të industrisë për sigurinë e objekteve në orbitë. Asnjë vend nuk ka kryer sulm me raketa kundër satelitit të armikut.
Inspektorët bërthamorë të OKB-së pritet të arrijnë së shpejti në një përfundim mbi pretendimet e Rusisë për prodhimin e mundshëm të një “bombë të pistë”. Hetuesit po dërgohen në dy lokacione në Ukrainë ku Rusia pretendoi se po zhvilloheshin aktivitetet.