Politike31 Maj 2022, 18:29

Agron Duka vulos divorcin me PD: Në zgjedhjet vendore të 2023 do garojmë të vetëm

Shkruar nga Pamfleti
Agron Duka vulos divorcin me PD: Në zgjedhjet vendore të 2023 do

Partia Agrare Ambientaliste duket se do i japë fund koalicionit me Partinë Demokratike. Teksa kjo e fundit është futur në një krizë të thellë, kreu i saj Agron Duka ka bërë me dije se në zgjedhjet vendore të 2023, PAA do të garojë e vetme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shprehet se në vjeshtë do nisë dhe përzgjedhja e kandidatëve.

Partia Agrare Ambientaliste do të futet në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2023 jashtë koalicioneve politike. Kryesia e kësaj partie vendosi që në këto zgjedhje PAA të prezantojë filozofinë dhe identitetin e saj, si një parti me fokus agrar e mjedisor. PAA është në një fazë riorganizimi aktualisht, dhe në vjeshtë ajo do të fillojë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këshillat bashkiakë. Ne jemi të vetëdijshëm për situatën politike në vend. Një dominancë absolute dhe arrogante në nivel vendor, nga mashoranca socialiste dhe një opozitë tërësisht e destabilizuar nga ana organizative si pasojë e luftës së brendshme, e bëjnë mjedisin politik shumë të papërshtatshëm dhe jo të qetë për votuesit”, shkruan Duka.

Megjithatë, Duka ka thënë se PAA do të vazhdojë të mbetet një parti opozitare dhe me program e platformë tërësisht në interes të qytetarëve. Sipas tij, PAA do të jetë e hapur për të koordinuar apo bashkëpunuar me lëvizje të reja apo forca të reja politike që do të debutojnë në një garë elektorale.

PAA, paralelisht me riorganizimin e strukturave, po riorganizon edhe programin e saj, duke mbetur një parti e spektrit të gjelbërt, me objektiva të qartë në mbrojtjen dhe rigjenerimin e mjedisit, marrjen e masave për t’iu përshtatur ndryshimeve të klimës, mbështetjen konkrete të fermerëve, jashtë skemave subvencionuese propagandistike. Ne do të projektojmë në programin tonë jo thjeshtë mbështetjen e mbijetesës apo lëmoshës, por krijimin e mekanizmave që modernizojnë bujqësinë, rrisin prodhimin, standardet e cilësisë dhe eksportimin e prodhimit”, shkruan Duka.

Politike Duka koalicion PAA