Aktualitet29 Janar 2023, 11:19

Aksi Thumanë-Kashar, banorët protestojnë kundër Bashkim Ulajt dhe bllokojnë rrugën; përplasen me policinë

Shkruar nga Pamfleti

Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish sot në protestë kundër ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar, pasi rruga kalon nëpër pronat e tyre, për të cilat thonë se janë shpronësuar nën vlerën e pronës së tyre. Gjatë protestës banorët janë përplasur me policinë, pasi kanë tentuar që të bllokojnë qarkullimin rrugor.

Banorët po protestojnë kundër oligarkut Bashkim Ulaj, i cili me devijimin e rrugës Thumanë-Kashar po u rrëmben tokat e do shkatërrojë 70 shtëpi. Ata pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi dhe në kundërshtim me ligjin duke theksuar se dëmshpërblimi i ofruar është qesharak.

Banorët kërkojnë vetëm diskutime dhe konsultim publik, duke paralajmëruar se protestat e tyre do të jenë të pandalshme derisa e drejta të fitojë.

“ARRSH duhet të bëjë kërkesa në hipotekë se sa është vlera e pronave. Toka këtu është shitur me akt noterial, ne 2022, janë shitur 229 mijë euro, del 50 euro metri, ku e gjeti 4 euro metrin e tokës Berberi? Apo marrin rrogat kot dhe nuk bëjnë asnjë detyrë. Ne kemi ligjet tona, jemi autoktonë, nuk e falim tokën për interesat e oligarkëve, do e mbrojmë me gjak. Kjo rrugë do bëhet me lapidar pa filluar punimet. Do bëhet si kalaja e Shkodrës. Këtu është një maskaradë, firma ka zhvilluar 70% të punimeve dhe projekti ndërrohet sa herë do kompania. Ne nuk do tërhiqemi! Do marrim masa ekstreme, të jenë të bindur. Nëse nuk ulen në negociata me ne nuk do jetë e lehtë”, u shpreh një nga banorët.

Ndërkohë shteti hesht për këtë batërdi.Gjatë këtyre muajve protestë në Bërxullë, policia përplaset me banorët e mbron koncesionarin Ulaj që merr 30 milionë euro tenderë në vit. Duhet theksuar se drejtësia nuk pranon kallëzim penal e kërkesë padi kundër këtij oligarku që po grabit tokat e po i bën asfalt.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

 

Aktualitet #protesta e banoreve te Berxulles