Kronike 3 Shkurt 2023, 09:25

Aksident i rëndë në Tiranë, humb jetën 20-vjeçari; gjyshi i vrau babanë në 2021-shin!

Shkruar nga Pamfleti
Aksident i rëndë në Tiranë, humb jetën

Një aksident me vdekje ka ndodhur në zonën e Freskut në Tiranë, ku ka humbur jetën një 20-vjeçar. Enjo Saliaj, i cili po udhëtonte me motor, është përplasur nga një makinë me drejtues shtetasin A.F.

Më datë 02.02.2023, rreth orës 23:30, te Fresku, automjeti me drejtues shtetasin A. F. është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin E. S., 20 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra, 20-vjeçari ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”- njofton policia.

Pas aksidentit shoferi i mjetit është arrestuar. Ndërsa nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se i ka prerë rrugën makinës. Ekspertiza e plotë akoma nuk ka përfunduar.

Enjo Saliaj, është djali i Kudret Saliajt, i cili u vra nga vjehrri në qershor të vitit 2021, Mexhit Picari. Vrasja e Saliajt erdhi pas shumë debatesh dhe përplasje mes çiftit, Kudret Saliaj dhe Dhurata Saliaj. Ndërkohë, pas arrestimit të Dhurata Saliajt, për vrasje në bashkëpunim, kujdestarinë e 3 fëmijëve të çiftit e ka marrë xhaxhai i tyre, vëllai i Kudret Saliajt.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e datës 4 qershor në një lokal pranë Gjykatës Civile, në Tiranë, ku Mexhit Picari, 53 vjeç vrau në mes të lokalit, bashkëshortin e vajzës në proces divorci, Kudret Saliaj 41 vjeç, pak minuta para seancës së 5-të. I plagosur, jashtë rrezikut për jetën, mbeti dhe avokati i viktimës, Adriatik Cama. Kudret Saliaj u qëllua me 8 plumba, nga vjehrri, ndërsa në trup e kanë kapur 5 plumba.

Viktima në momentin që është vrarë nga ish-vjehrri, ndodhej pranë gjykatës duke konsumuar një kafe me avokatin e tij në këtë proces divorci, Adriatik Cama i cili po ashtu mbeti i plagosur. Konflikti për kujdestarinë e fëmijëve solli vrasjen te Gjykata e Tiranës, ku mamaja do t’i takonte në prani të psikologes! E vetme, pa 3 fëmijët, për të cilët ka humbur kujdestarinë dhe pa bashkëshortin që sot nuk jeton më, 33-vjeçarja Dhurata Saliaj ndodhet në paraburgim me babanë, i cili më 4 qershor vrau me 5 plumba, bashkëshortin me të cilin ishin në proces divorci.

Kronike Aksident i rëndë në Tiranë vrasja e Kudret Saliajt