Aktualitet29 Janar 2023, 09:53

Aksion në Fier e Lushnje, çmontohen 20 kamera të paligjshme; 5 persona nën hetim

Shkruar nga Pamfleti
Aksion në Fier e Lushnje, çmontohen 20 kamera të paligjshme; 5

Vijon aksioni në shkallë vendi për heqjen e kamerave të paligjshme. Policia e Fierit ka çmontuar dhe sekuestruar 20 kamera sigurie në Fier dhe Lushnjë të vendosura nga grupe kriminale në kundërshtim me ligjin, me qëllim vëzhgimin e efektivëve të policisë.

Nga këto kamera, 5 prej tyre ishin vendosur në qytetin e Fierit dhe 15 në qytetin e Lushnjës. Nën hetim për vendosjen e tyre janë vënë 5 persona.

Në Fier, në lagjet “8 Shkurti” dhe “Liri”, janë çmontuar 5 kamera, si dhe janë vënë në hetim, A. B. dhe K. K. Në Lushnjë ku u çmontuan dhe u sekuestruan 15 kamera të vendosura në lagjet “18 Tetori” dhe “Loni Dhamo”. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë në hetim shtetasit K. T.,  S. T. dhe K. A. Strukturat hetimore të DVP Fier, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë në varësi të saj, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, konkretisht në disa lagje të qyteteve Fier e Lushnjë, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.”-thuhet në njoftimin e policisë.

Shqipëria duket se ka qenë e monitoruar si një shtëpi ‘Big Brother’ nga kamera që zotëroheshin nga krimi për të parë lëvizjet e policisë dhe të kundërshtarëve. Kujtojmë që aksione të ngjashme janë zhvilluar në Shkodër ku u hoqën më shumë se 50 kamera, në Vlorë, Korçë, Pogradec, Durrës dhe Shijak.

Ditën e djeshme 47 kamera sigurie të vendosura nga grupet kriminale, në disa lagjet të qarkut të Durrësit janë çmontuar nga policia.  Kamerat ishin montuar nga grupet e të fortëve në Durrës, Shijak, Kruje dhe Nikël.

Tre ditë më parë në Vlorë, u çmontuan 16 kamera sigurie të vendosura në 6 lagje të qytetit. Kamerat të cilat ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri” ishin të lidhura me aparate celularë të personave të ndryshëm.

Në qarkun e Shkodrës u çmontuan 38 kamera spiune në 3 lagje të qytetit. Ndërhyrja u bë në lagjen “Guerrile”, e njohur ndryshe si lagjja “Kiras”, po ashtu me prezencë të grupit të Licëve. Aksioni për çmontimin e kamerave vijoi në lagjen “Kongresi i Përmetit”, apo njohur si zona e “Zdrales” dhe në lagjen “Salo Halili”.

Kamerat ishin të instaluara në shtylla elektrike, në zona që konsiderohen si shumë të frekuentuara nga qytetarët shkodranë. Kështu sipas të dhënave të policisë së shtetit bëhet me dije se deri tani janë çmontuar 122 kamera: 59 Shkodër, 47 Durrës, 16 Vlorë dhe 20 në Fier e Lushnje.

Të gjitha kamerat e çmontuara dyshohet të jenë të lidhura me aparate celulare dhe komandimi i tyre të bëhet përmes internetit, edhe nga jashtë shtetit.

Aktualitet Aksion çmontohen 20 kamera të paligjshme policia