Është fushatë e qeverisë për grumbullim votash nga banorët e bashkive të braktisura e të lëna “geto sociale”, pasi me propagandën e këtyre punëve publike, po merren përditë drejtuesit e PS, kryebashkiakët, deputetët e zonave dhe ERTV…
Sipas evidentimit të bërë nga “Pamfleti”, gjatë javës së fundit të muajit nëntor janë shpallur 190 tenderë me objekt punë publike nëpër qytete e zona rurale, për rikonstruksion rrugësh, banesash të komuniteteve rom e egjiptian, ndriçim sheshesh, ujësjellës, kanalizime, lulishte etj.
Fituesit e tenderëve do shpallen brenda dhjetorit, afat që është në përputhje me ligjin, por nuk janë rastësi këto 3 fakte:
- Tenderët janë shpallur me “aksion” në të njëjtën kohë, nëpër bashki të mesme e të vogla ku ka papunësi e varfëri ekstreme dhe braktisje nga qeveria e zhgënjim banorësh.
- Afati për përfundimin e punimeve, do jetë fundi i muajit prill e fillimi i muajit maj 2023.
- Nuk do jenë investime të plota, por janë quajtur “Faza e parë e punimeve”.
Bën përshtypje, se tenderët e shpallur nga bashkitë për punë publike, e shërbime komunitare, kanë afat zbatimi 4-5 muaj ose para ditës së zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023.
Nuk ka dyshim që është fushatë e qeverisë për grumbullim votash, nga banorët e bashkive të braktisura e të lëna “geto sociale”, mbasi me propagandën e këtyre punëve publike, po merren përditë drejtuesit e PS, kryebashkiakët, deputetët e zonave dhe ERTV.
Madje u propaganduan nga vetë kryeministri Edi Rama, gjatë takimeve që bëri para 2 javësh në disa bashki të vogla e të boshatisura, si Përmeti, Gjirokastra, Bulqiza, Dibra, madje në Dropull, banorëve u premtoi se do t’ua çojë vetë buldozerin e kërkuar para 31 dhjetorit.
Vetëm në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike të datës 30 nëntor, ishin shpallur 60 tenderë e 20 tenderë më 1 dhjetor, me objekt punësh e shërbime publike, në bashkitë e vogla që nuk kanë të ardhura as për të paguar faturat e energjisë së zyrave.
Gjë që tregon, se kryeministri Rama ka “hapur thesin” dhe po i jep bashkive miliona lekë, për punë që duhet të inaugurohen prej tij e ministrave, disa ditë para zgjedhjeve lokale. /Pamfleti