
Aktivistja 16 vjeçare e lëvizjes "Ndryshimet klimaterike", nominohet për çmimin Nobel të paqes
Ajo është vetëm 16 vjeç, por pak kohë më parë nisma e saj bëri xhiron e të gjithë botës. Greta Thunberg është aktivistja që nisi lëvizjen e të rinjve për ndryshimet klimaterike.
Tashmë ajo është nominuar për çmimin Nobel për paqen. Greta nisi një protestë me miqtë e saj në Suedi, por menjëherë inspiroi njerëz nga e gjithë bota. Nisma e tyre ka në fokus ndryshimet klimaterike dhe ngrohjen globale, për të cilat duhet të ndërgjegjësohemi dhe të veprojmë menjëherë. Më shumë se 1659 qytete në 105 shtete u bashkuan me të, dhe protestat do të vazhdojnë.
“Kemi propozuar Greta Thunberg sepse nëse nuk bëjmë asgjë për ndryshimet klimaterike, do të jetë shkaku i luftërave, konflikteve dhe refugjatëve. Greta Thunberg ka lancuar një lëvizje masive të cilën e shoh si një kontribut të madh për paqen.”- është shprehur Freddy André Øvstegård, anëtar i parlamentit.
16 vjeçarja është shprehur shumë mirënjohëse për këtë moment dhe mbi të gjitha është shprehur se nuk do të ndalen. Nobeli për paqen është dhënë për një adoleshente dhe në 2014- Malala Yousafzai për përpjekjet që të gjithë fëmijët të kenë të drejtën e edukimit.
Këto momente na kujtojnë që nuk je asnjëherë i vogël apo i ri për të ndryshuar botën. Ndërkohë ndiqni fjalimin e Greta Thunberg, në konferencën e janarit.