Aktualitet24 Qershor 2024, 14:28

Përjashtohet nga Policia efektivi, Rrumbullaku dërgon për hetim drejtuesit e Komisariatit 4

Shkruar nga Pamfleti
Përjashtohet nga Policia efektivi, Rrumbullaku dërgon për hetim
Muhamet Rrumbullaku

Përjashtohet nga Policia e Shtetit një punonjës dhe nis hetimi i thelluar disiplinor për sistemin drejtues në Komisariatin Nr. 4 të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

"Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, firmosi masën disiplinore “përjashtim nga policia” për një punonjës, për të cilin Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer arrestimin në flagrancë, në vijim të hetimeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, përjashtimi i nënkomisar K. P., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, kërkoi nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, kryerjen e një hetimi të thelluar disiplinor, jo vetëm për punonjësin e policisë, por për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.

“Duhet të evidentohet shumë qartë, me një punë të shpejtë dhe profesionale, e gjithë përgjegjësia e linjës drejtuese për sa i përket rastit konkret, duke marrë masat përkatëse. Drejtuesit e strukturave ngarkohen me përgjegjësi direkte për veprimet e tyre dhe të vartësve, ndaj kërkoj një verifikim të plotë të rastit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë”, u shpreh Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, vlerësoi bashkëpunimin me AMP-në e Prokurorinë dhe shprehu angazhimin maksimal për thellimin e tij", njofton Policia. 

muhamet rrumbullaku drejtuesit e komisariatit 4