Aktualitet19 Prill 2024, 15:33

SPAK merr në pyetje Tan Dulakun për bazën e Sarandës, oligarku fajëson Olta Xhaçkën! Gjykata: Afera korruptive cenoi sigurinë kombëtare!

Shkruar nga Pamfleti

SPAK merr në pyetje Tan Dulakun për bazën e Sarandës,

Dulaku mësohet se ka bërë rolin e budallait në SPAK, duke ia veshur përgjegjësinë Olta Xhaçkës.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion vijon të marrë në pyetje ish zyrtarë, ushtarakë dhe biznesmenë, lidhur me hetimet që kjo strukturë po kryen për pronat e ushtrisë, të cilat qeveria i ka kaluar në duart e disa oligarkëve për të ndërtuar resorte me para të pista.

Disa ditë më parë, në pyetje është marrë oligarku Artan Dulaku, një prej përfituese të bazës së Sarandës, mbi të cilën kishte në plan të ndërtonte një resort me vlerë 200 milionë euro, me vetëm 13 milionë euro të ligjshme.

Dulaku mësohet se ka bërë rolin e budallait në SPAK, duke ia veshur përgjegjësinë Olta Xhaçkës, Bardhyl Kollçakut dhe Bajram Begajt për aferën korruptive, që sipas SPAK dhe GJKKO ka cenuar sigurinë kombëtare.

Në fakt Dulaku, një nga përfituesit më të mëdhenj të pasurive dhe parave publike, është komod, pasi letrat për bazën e Limjonit në Sarandë i kanë firmosur Olta Xhaçka me grupin e saj, besohet me urdhër nga lart.

Ndaj ata që kanë firmosur do të ‘hanë’ burgun, ndonëse pronat dhe pasurinë e shqiptarëve i ndajnë 4-5 veta duke pirë verë të shtrenjtë. SPAK e di me saktësi se kush dhe si, por që duhen prova për t’i godit ose goditja do të vijë në një fazë të dytë.

Ish-drejtori i drejtorisë së logjistikës në komandën e forcës së bashkuar, njëkohësisht ish-drejtues i agjencisë së inteligjencës së sigurisë dhe mbrojtjes dhe ish-komandat i Forcës Detare, Ylber Dogjani, është marrë në pyetje pak ditë më parë nga SPAK.

Po ashtu edhe Bardhyl Kollçaku deputet i PS dhe njëherësh ish-Shef i Shtabit të përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Në muajin mars të vitit 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të sekuestruar në formë preventive Bazën Ndihmëse “Limjon” në Sarandë.

Disa ditë më parë, Edi Rama kritikoi SPAK dhe GJKKO se pse kishin sekuestruar bazën e Limionit në Sarandë, të cilën ish ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka ia kishte dhënë Artan Dulakut për të ngritur një resort privat.

Absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata. Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare. Ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh, por e solla këtë këtu për faktin se kjo buron nga një arbitraritet që shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër dhe të gabuar për mbrojtjen e kohëve të sotme dhe për atë që duhet të bëjmë ne në funksion të mbrojtjes“, tha Rama.

Deklarata e Ramës ka disa elementë.

Së pari, Edi Rama kritikoi apo sulmoi SPAK-un për një pronë publike, e cila i është dhënë Artan Dulakut, në mënyrë korruptive (sipas SPAK-ut).

Së dyti, Edi Rama ia dha këtë mesazh SPAK-ut nga ambientet e Hotel Melia në Gjirin e Lalzit, ku mblidhi Asamblenë e PS. Pronari i hotel Melia është pikërisht Artan Dulaku, një investitor i shumëfishtë strategjik i qeverisë. (Ka dyshime të forta se edhe ky hotel është produkt i investimit të parave të pista).

Së treti, Rama kritikoi SPAK për një çështje korruptive me protagoniste deputetja e PS, Olta Xhaçka, ish ministre e Mbrojtjes dhe më pas e Jashtme, e cila mund të përfundojë prapa hekurave si disa ish kolegë të saj.

Së katërti, Rama foli për një investim 200 milionë euro. Në fakt vlera e investimit në letra është 13 milionë euro. 187 milionë euro ndoshta janë planifikuar për t’u investuar nga oligarku nga fondi i parave të pista, kryesisht nga trafiku i kokainës, korrupsioni dhe skemat mashtruese./Prapaskena