Editorial20 Nëntor 2022, 09:21

Akulli Rama- Kurti rrezikon samitin e lartë Tiranë –Prishtinë

Shkruar nga Pamfleti
Akulli Rama- Kurti rrezikon samitin e lartë Tiranë

Akulli Rama- Kurti rrezikon samitin e lartë Tiranë –Prishtinë

Kur duhen dhe pak ditë për tu mbajtur samiti i nivelit të lartë ndërmjet dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe ai i dy qeverive, nuk ka asnjë protokoll të miratuar nga palët.

Edhe pse ambasadat respektive; ajo e Shqipërisë në Kosovë dhe e Kosovës në Shqipëri, kanë kryer të gjithë punën përgatitore me aktorët politikë në vend, asnjërit prej diplomatëve nuk i është shpërndarë axhenda e samitit të nivelit të lartë, në kuadrin e 110 vjtorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Madje një projekt paraprak ishte që të gjithë delegacionet të ishin datën 28 nëntor në qytetin e Vlorës për të përkujtuar jubileun e shtetit shqiptar.

Ndërkaq, në Kuvend ishte planifikuar që të mblidheshin së bashku deputetët e Parlamentit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës në një seancë ceremoniale.

Gjithashtu në margjinat e Kuvendit të Shqipërisë ishte parashikuar që të mbahet edhe një mbledhje e përbashkët e dy qeverive përkatëse. Përveç fjalimeve të Glauk Konjufcës dhe Lindita Nikollës, ishin planifikuar edhe ndërhyrjet e dy kryeministrave: Edi Ramës dhe Albin Kurtit.

Deri të premten në darkë, nuk ka pasur asnjë një freskim apo miratim përfundimtar të agjendës, ndërkohë që janë hedhur dyshime edhe për anulimin e samitit të nivelit të lartë.

E sipas gjasave kjo mund të fshihet edhe me impenjimin e palëve në takime të rëndësishme, ku më i rëndësishmi është ai mes Albin Kurtit dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Një burim pranë Kuvendit, i tha ‘Pamfleti’-t, se për nismën e thirrur ku dy Parlamentet të mblidhen në një seancë ceremoniale ka pasur sinjale shqetësuese nga ambasada perëndimore, duke bërë vërejtje për kujdes nga e Tiranës zyrtare.

Por këto sinjale kanë ardhur prej kohësh, e nuk se u morën parasysh nga Edi Rama, i cili synonte një “Nëntor të tretë” spektakolar në qytetin e Vlorës.

Gjasat janë se samiti të mos zhvillohet, më shumë prej situatës së nderë të marrëdhënieve ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.

Edhe në Tunizi, në samitin e Frankofonisë, Edi Rama dhe Vjosa Osmani, siç shihej edhe në fotot e shpërndara nga të dy në rrjetet sociale, ishin dy krerët e shteteve që as shtrënguan duart dhe shikoheshin vëngër gjatë gjithë kohës.

Një mbledhje e tipit të tillë, e ideuar nga Rama vetëm për arsye buje dhe show teatral, realisht nuk se është ndonjë nismë frytdhënëse. Pasi përveç piknikut patriotik të deputetëve e ministrave të Kosovës në Tiranë e Vlorë, nuk se do të sillte ndonjë zhvillim real; veç zhurmës dhe akuzave të panevojshme që mund të vinin nga Beogradi, apo edhe nga qarqe perëndimore.

Madje në kontekstin e marrëdhënieve aktuale, me një tension të rritur me Beogradin, një teatër patriotik do të ishte i dëmshëm, por ishte vetë Edi Rama ai që e ideoi dhe nuk i pranoi kritikat fillestare.

Anulimin, mund ta ketë vendosur dhe nga një presion i rritur ndërkombëtar, por këtë duhet ta thotë publikisht.

Si nga Kuvendi i Shqipërisë, ashtu edhe nga ministria e Jashtme, nuk japin asnjë informacion për samitin e Tiranës.

Duket se, si Lindita Nikolla, si Olta Xhaçka, kanë qenë të zëna më shumë me bllokimin e nismës së opozitës për të hequr mandatin e deputetes- ministres së Jashtme. E cila është akuzuar se ka marrë familjarisht titullin e investitorit strategjik për një resort në bregdetin e Jonit. / Pamfleti

Editorial #Akulli Rama- Kurti rrezikon samitin e lartë Tiranë –Prishtinë