Aktualitet26 Prill 2019, 08:25

Akuza bombastike: Fatos Klosi organizoi vrasjen e Ahmet Krasniqit!

Shkruar nga Pamfleti
Akuza bombastike: Fatos Klosi organizoi vrasjen e Ahmet Krasniqit!

Akuza bombastike: Fatos Klosi organizoi vrasjen e Ahmet Krasniqit!

Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, në një intervistë dhënë gazetës kombëtare “Bota sot”, ndër shumë çështje të tjera ka folur edhe për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.

Berisha ka akuzuar direkt ish kreun e Shërbimit Informativ Shqiptar Kombëtar, Fatos Klosin, për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Vrasjen e Ahmet Krasniqit e ka organizuar kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar Kombëtar Fatos Klosi. Kjo është qind për qind e sigurt”, tha Berisha.

Ai tregon edhe me kë shoqërohej Krasniqi. Më tej, Berisha thotë se u shfrytëzua momenti i turbullt një javë pas vrasjes së Azem Hajdarit. Ai thotë se këtë duhet ta hetoj Gjykata e Hagës.

“Ahmet Krasniqi shoqërohej me oficerë të SHIK-ut, Ahmet Krasniqit me një urdhër po nga ky një natë më herët iu morën armët. Ahmet Krasniqi, u vra te dera e shtëpisë ku e kishte strehuar shteti shqiptar. Kështu që ajo ishte një vrasje. Se cili ishte ai që shkrehu karikatorin nuk e di. Por, në qoftë se ka një gjë që duhet ta hetojë Gjykata e Hagës, mendoje se është kjo.

Pse, sepse gjithçka është organizuar nëpërmjet këtij personi. Jepen motive të ndryshme, por motivi më i besueshëm, një porosi serbe për këtë punë. U shfrytëzua një moment turbullire këtu, një javë pas vrasjes së Azem Hajdarit, e vranë një njeri të shkëlqyer. Unë e kam njohur atë, e kam takuar disa herë. Ai ishte një burrë fisnik, një njeri i cili tek unë kishte ardhur, me të vetmen kërkesë: “Na ndihmo të pajtohemi njëri me tjetrin, se ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë dhe të kemi një front të përbashkët kundër Serbisë”.

Këto ishin kërkesat e tij, një njeri fjalë pak, njeri punë shumë dhe që e eliminuan. Mbrapa për fat të keq jam përpjekur, por problemi ishte se prokurorin e kishte Partia Socialiste, nga Dhori Sallaku te Ina Rama, të cilët në mënyrë absolute kishin një mision që të mbulonin krimet e Partisë Socialiste, të kryera në Shqipëri. Kjo është e vërteta për Ahmet Krasniqin”, ka thënë ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Aktualitet ahmet krasniqi Fatos Klosi Sali Berisha