Aktualitet26 Tetor 2022, 10:25

Akuzohet për shpërdorim detyre, Sonila Qato thirret sërish në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Akuzohet për shpërdorim detyre, Sonila Qato thirret sërish

Ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato është paraqitur në SPAK mëngjesin e sotëm. Pritet që SPAK t’i komunikojë Qatos akuzën për shpërdorim detyre lidhur me tenderin e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë.

Qato ka qenë e shoqëruar nga avokati i saj, teksa është futur në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit. Kjo është hera e dytë për ish-drejtoreshën e ARRSH që shkon në SPAK.

Më 3 tetor, ajo tha se ishte marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit si ish-drejtoreshë e ARRSH, lidhur me procedurat e ndërtimit të aksit Kardhiq-Delvinë.

“Është një procedurë që ka filluar tre vjet më parë me dorëheqjen time, në të cilën dhashë detaje nga rrethanat e çështjes në dijeninë time. Procedura e kallëzimit është për rrugën Kardhiq-Delvinë. Me sa u njoftova, po hetohet për shkelje të barazisë në tenderë”, tha ish-drejtoresha.

Ajo refuzoi të japë komente të mëtejshme, duke shtuar se shkaku i dorëheqjes së saj ishte për t’i dhënë mundësinë drejtësisë të bëjë detyrën e vet duke hetuar deri në fund këtë çështje.

Aktualitet sonila qato SPAK