Aktualitet29 Mars 2019, 17:36

Alarm në 10-vjetorin e NATO-s, ja cili shtet mund të sulmojë Shqipërinë (Dokumenti)

Shkruar nga Pamfleti

Alarm në 10-vjetorin e NATO-s, ja cili shtet mund të sulmojë Shqipërinë (Dokumenti)

Dokumenti i ushtrisë shqiptare paralajmëron qartë mundësinë e një lufte, duke thënë se burimi i shpërthimit të luftës mund të jetë keqpërdorimi i pakicave kombëtare brenda vendit

Shqipëria po feston 10-vjetorin e anëtarësimit në Aleancën më të fuqishme ushtarake në botë. Anëtarësimi në NATO ka rritur më shumë se çdo herë tjetër sigurinë e Shqipërisë. Megjithatë, sipas një dokumenti të siguruar të ushtrisë shqiptare, nuk përjashtohet mundësia që Shqipëria të sulmohet nga një prej shteteve fqinje.

Edhe pse një sulm i tillë do të fuste direkt në luftë NATO-n, bazuar në nenin 5 të Traktatit të Antlantikut të Veriut, dokumenti i ushtrisë shqiptare paralajmëron qartë mundësinë e një lufte. Në dokument thuhet se burimi i shpërthimit të luftës mund të jetë keqpërdorimi i pakicave kombëtare brenda vendit.

Në dokument nuk përmendet se cili shtet mund të keqpërdorë pakicat kombëtare, por dihet tashmë se vetëm Greqia tenton prej vitesh të përdorë minoritetin për të krijuar konflikte dhe për të shfaqur më pas pretendimet territoriale. Nga ana tjetër, zyrtarë më të lartë të shtetit grek kanë kërcënuar herë pas here me luftë Shqipërinë.

“Rreziku konvencional ndaj Shqipërisë, ndonëse i reduktuar shumë, nuk mund të përjashtohet. Për shkak të detyrimeve, që burojnë nga neni 5, i Traktatit të Atlantikut të Veriut, Republika e Shqipërisë mund të përfshihet në një konflikt konvencional në rastet kur kërcënohet pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e çdonjërit prej aleatëve të saj.

Zhvillimet në kufijtë e Aleancës, keqpërdorimi i pakicave kombëtare për qëllime politike dhe ndryshimi i kufijve, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, dëshmojnë për ekzistencën e këtij rreziku.

Reformat e sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes synojnë konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve përkatëse. Në këtë kontekst, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë do të mbështetë reformat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për modernizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të tyre, për përmbushjen e misionit kushtetues”, thuhet në dokumentin e ushtrisë shqiptare.

Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë, Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos, kërcënoi Shqipërinë, duke thënë se sjelljet ndaj pakicës greke do të bëhen pengesë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.

“Sa i përket Shqipërisë fqinje, nuk jemi kundër perspektivës evropiane. Megjithatë, ky është një parakusht për respektimin e plotë dhe të ndershëm të së drejtës ndërkombëtare dhe europiane, dhe kështu për respektimin e sundimit të ligjit dhe të të drejtave themelore të njeriut.

Prandaj, sjelljet si këto ndaj Pakicës Kombëtare Greke, të cilat nënvlerësojnë brutalisht vlerën e jetës njerëzore ose shkelin të Drejtat e Njeriut , p.sh. e drejta për pronë, përbëjnë një pengesë të pakapërcyeshme për rrjedhën e qetë evropiane të Shqipërisë”, ka deklaruar Kreu i Shteti grek, ndërsa kjo është vetëm një nga deklaratat e shumta kërcënuese të shtetit fqinj ndaj Shqipërisë./Pamfleti


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet 10-vjetori i nato-s Greqia pakicat kombetare Shqipëria sulm ndaj shqiperise