
Por… paguhen si “arkivistë” nëpër ministri
Patjetër ju ka rastisur, t’u ndalin në rrugë të rinj me dosje, kamera, celularë e çanta në duar, t’u ndalin në rrugë, t’ju japin fletë-palosje të ministrive e shërbimeve shtetërore dhe t’ju kërkojnë mendim për cilësinë e punëve në kryeministri, ministrira, spitale, tatime, dogana, sigurime, tranport, kulturë, bujqësi, arsim, legalizime, polici, tregje, pensione, paga, ndihmë ekonomike e çështje të tjera!
Këta janë personat e “punësuar” në shtet, të cilët disa ministra dhe sidomos Drejtorja e Departamentit të Administratës Publike Albana Kociaj, po i deklarojnë si “rritje punësimi”, por realisht është ndryshe.
Një informacion nga zyrat e Departamentit të Administratës Publike (DAP), ka nxjerrë “sekretin” e lojës false, që bëhet me “shtimin e numrit të punësimeve” për të rinjt e diplomuar, duke operuar me një “vendim kalimtar” qeverie, të muajit janar 2018.
Sekreti i rritjes së punësimit për të rinjtë, qendron i fshehur në VKM Nr. 60, datë 31. 01. 2018, me objekt “Për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2018, në njësitë e qeverisjes qendrore”, me të cilin është miratuar e drejta e ministrive, për të rekrutuar 1752 të rinj, me afat 3-6 muaj gjatë vitit 2018 dhe ata, t’i quajnë “të punësuar” duke i hequr nga listat e papunësisë!
Skandali i lojës propagandistike, me gjoja shtimin e punësimit të të rinjve, qëndron në faktin, se sipas vendimit të qeverisë, 1752 personat e rekrutuar, me afat 3-6 muaj punësim, do të paguhen me emërtesën “Punonjës arkivistë të ministrive” ku janë rekrutuar, sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit (DPA).
Çdo ditë, atyre u bëhet apeli i paraqitjes në punë dhe u matet volumi i kryer si “postier” që shkojnë nga ministritë, institucionet dhe entet publike, për në Arkivën e Shtetit dhe anasjelltas, por gjithashtu u matet volumi dhe cilësia e sonadazheve, që ata kanë bërë “në popull”. Këtë “matje dhe vlerësime pune”, e bëjnë shefat e institucioneve, por në fund të muajit e “vulos” Albana Koçiu, Drejtore e Departamentit të Administratës Publike (DAP).
Sipas VKM-së, këta 1752 persona janë rekurutuar (punësuar) në Shërbimin qeveritar, QSUT, Tatime, Dogana, Porti Detar-Durrës, Ministria e Kulturës, OSHEE, ALUIZNI, Agjencia e Mjedisit, Polici, Dogana, Hipotekë, Drejtoria e Rrugëve, Sigurimet Shoqërore, Shërbimin e Punësimi dhe institucione tjera publike, për të kryer detyrën si “postier” shkresash me Arkivën e Shtetit dhe si testues të “mendimit popullor”, për punët e këtyre sektorëve qeverisës./Pamfleti/