Editorial29 Shtator 2022, 07:58

Albin Kurti, mes së majtës liberale dhe islamit politik në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti
Albin Kurti, mes së majtës liberale dhe islamit politik në

Albin Kurti, mes së majtës liberale dhe islamit politik në Kosovë

 Sherri i Islamistëve të Vetëvendosjes me Albin Kurtin: Si nisi dhe sa rrezikohet mazhoranca?

Tashmë është e qartë se konflikti ndërmjet ithtarëve të islamit politik brenda Vetëvendosjes dhe lidershipit të Albin Kurtit ka arritur pikën e vlimit.

Sherri i nisur pas refuzimit të “islamikëve” të lëvizjes për të votuar Kodin Civil në mars të këtij viti, ishte vetëm fillimi. Kurse ndalimi i Albin Kurtit, që ky korrent i Vetëvendosjes të marrë poste drejtuese, duket se përbën kulmin e një zhvillimi të ri politik.

Në të shkuarën, ky korrent ishte fuqizuar shumë, aq sa mori edhe drejtimin e komunës së Prizrenit.

Duket që humbja e Prizrenit, por edhe e komunave të tjera, e ka stepur Albin Kurtin që të mos lëshojë më shumë hapësira në lëvizjen e tij për këtë grup interesi.  Grup, i cili nuk është aspak i vogël.

Në mars 29 deputetë votuan kundër Kodit Civil, dhe shumica prej tyre ishin pjesëtarë të organeve ekzekutive të Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë veprim, duket se Kurti e ka konsideruar si ‘pika që derdhi gotën’.

Përplasja atëhere ndodhi për nenin 1138  të Kodit Civil ku lejohen bashkimet apo martesat civile të dy njerëzve të së njëjtës gjini.

Albin Kurti, atëherë, por edhe sot, e ka bërë të ditur hapur identitetin politik të Vetëvendosjes, si një lëvizje liberale e së majtës. E fotoja në zyrë që mban Kurti, ajo e senatorit Berni Sanders- përfaqësuesit më të majtë të Partisë Demokratike Amerikane, është shenjë e alteregos politike të kryeministrit të Kosovës. I cili në mars doli hapur kundër krahut islamik të partisë së tij, që nuk pranuan të votonin Kodin Civil.

”Edhe ata janë krijesa të Zotit“, tha Kurti, duke ju referuar komunitetit LGBT, por që nuk i bindi dot deputetët.

Votimi kundër, solli pikërisht atë që ndodhi tani, kërkesën e qartë të Albin Kurtit, që “grupi i islamikëve” të ndalohet për të garuar në zgjedhjet brenda Vetëvendosjes.

Veprim që ka përshkallëzuar përplasjen, duke bërë të qartë se është hapur rruga e largimit të tyre. Një nga deputetët e grupit islamik është edhe Rahman Rrahmani, i cili thotë se në LW ka “disa njerëz që i duan ata jashtë partisë”.

“Besoj se janë dy linja që i fryjnë kësaj çështje. Njëra, nga disa deputetë të Lëvizjes, janë dy- tre po e them kështu, deputetë servilë të cilët mundohen të përfitojnë prej çdo situate dhe shkojnë te secili dhe u thonë se ne do të largohemi prej Vetëvendosjes”, ka deklaruar Rrahmani në RTV Dukagjini.

Por, rebelimi i “islamikëve” nuk u ndal këtu, pasi ata mbështetën edhe grevistët e arsimit – duke e bërë edhe më të qartë distancën e tyre me Albin Kurtin.

Në të njëjtën pozitë si me Rrahmanin, është edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.

“ Unë e kam përdorë të drejtën time me kundërshtu…Kur them se ka një tendencë kontrolli nga lart, dua që të mos e përkeqësoj gjendjen për organizatën. Nuk ka asgjë të keqe nëse ne propozojmë diçka ndryshe brenda partisë”, deklaroi Korenica.

Të cilit, Kurti ia kishte besuar kandidaturën për kryetar të Rahovecit, në dy palë zgjedhje lokale, 2017 dhe 2021, ku natyrisht Korenica doli pa sukses. Aq më shumë, ai u bë një barrë e rëndë për Albin Kurtin, kur sulmoi egër Izraelin, i cili është një shtet i rëndësishëm aleat i Kosovës, që e ka njohur pas marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë në vitin 2020.

Afrimi i grupit islamik në Vetëvendosje ka ardhur prej vitesh, pikërisht atëherë kur Albin Kurti, nisi të pranojë rryma të ndryshme, me synimin që Vetëvendosje të kthehet nga një parti proteste në një forcë politike mazhoritare në vend.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të qershorit 2017, Albini ngriti si lejtmotiv politik “luftën ndaj islamofobisë”, ku dhe mbahet mend afrimi i një duzine hoxhallarësh në “divanin e tij politik”.

Atëherë, Kurti preku edhe çështjen e shamisë, ku përkrahu opsionin e islamikëve, çka i dha atyre zemër se e gjetën “dovletin” që e kishin kërkuar prej kohësh: të vendosin në axhendat politike e të diskursit publik çështje të tilla si shamia, apo edhe sulmin ndaj figurave të rëndësishme të historisë e religjionit, çka ka krijuar idenë se kemi të bëjmë me një rrymë që kërkon islamin politik në Kosovë.

Tani për tani, kjo tentativë e këtij grupi për të kapur qoshen e tyre në Vetëvendosje dështoi, e ndoshta do të ketë edhe kosto politike për Kurtin, i cili megjithatë e preu “nyjen gordiane”.

Po ku do të “falen” tani politikisht islamikët e Vetëvendosjes?

Para disa vitesh ata e bënë një aleancë me Hashim Thaçin, më pas u afruan me Albinin. Te LDK kanë frikë hijen e Ibrahim Rugovës, fotoja e të cilit me Papa Gjon Palin II dhe Nënë Tereza-n janë në ballë të zyrave të selisë qendrore. Ndërsa Ramushin nuk e kanë pasur qejf herët, jo thjesht se pi raki, por edhe për largësinë që ai ka mbajtur me “djemtë me mjekra e pantallona treçerekshe”…/Pamfleti

Editorial #mes së majtës liberale dhe islamit politik në Kosovë Albin Kurti