
Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e së enjtes në Kuvend ka treguar gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Po ashtu, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë Asociacion monoetnik.
1-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
2-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës
3-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
5-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.
6-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiç të 19 prillit 2013).
Kurti tha se në të gjitha takimet e deritanishme me Borrelin, ka deklaruar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimin final rreth propozimit franko-gjerman.
“Këtë propozim e shohim si bazë të mirë për më tutje dhe jemi të interesuar që të nënshkruhet nga palët dhe të finalizohet. Kërkojmë nga Borrelli që sa më parë të na ftojë në takime të rregullta e të shpeshta”, tha Kurti në foltoren e Kuvendit.
Ai tha se pika e 10-të e propozimit për marrëveshje bazë, i dedikohet zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, dhe në kuadër të këtij neni, do të trajtohen të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe ajo e 19 Prillit 2013, Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, njofton Klankosova.tv.
“Çfarëdo tentative që nenet të bëhen parakushte për ecje përpara, janë sa më të pakuptimta aq edhe joproduktive. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me njohje në qendër, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat, por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si vlerë shoqërore”, u shpreh kryeministri.