Aktualitet 4 Shkurt 2023, 21:00

Alibia ligjore që Berisha po kërkon për të mos hyrë në zgjedhjet e 14 majit

Shkruar nga Pamfleti
Alibia ligjore që Berisha po kërkon për të mos hyrë

Duke dështuar në përpjekjet për të bashkuar PD dhe duke e kthyer betejën për bashkim në betejë për vulën e PD, tani Berisha po e deklaron me zë dhe figurë mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve të 14 majit, por me një arsyetim të ri, që nuk e kanë përdorur më parë.

Shkruan Mero Baze

Sali Berisha po përgatitet të paraqesë mos hyrjen në zgjedhje. Për këtë nuk vlejnë vetëm deklarata e tij, por dhe mungesa e përgatitjeve për zgjedhje. Dhe pse kandidatët e tij janë zgjedhur përmes “primareve” qysh vitin e kaluar, askush prej tyre nuk është shfaqur në fushatë.

Madje po të shikosh dhe sjelljen politike të Berishës, ai duket sikur po përgatit partinë e tij për revolta dhe jo për zgjedhje lokale.

Në fjalorin e tyre ka thirrje për përmbysje, revolucion, ikje të Edi Ramës etj, ndërkohë që gara të cilën kanë përpara, sipas gjithë sondazheve, vë në pikëpyetje vetëm fatin e bashkive të Tropojës, Hasit e Kukësit.

Duke dështuar në përpjekjet për të bashkuar PD dhe duke e kthyer betejën për bashkim në betejë për vulën e PD, tani Berisha po e deklaron me zë dhe figurë mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve të 14 majit, por me një arsyetim të ri, që nuk e kanë përdorur më parë.

Bojkotin e zgjedhjeve të 14 majit Berisha do ta justifikojë si përjashtim nga zgjedhjet, meqë Gjykata nuk do t’i japë vulën e PD.

Deklarata e tij, të qarat se pa vulë nuk hyn në zgjedhje, flasin qartë se ai ka përgatitur arsyetimin e bojkotit, për të mos ngjarë si bojkoti i vitit 2019. Pra thjesht ka gjetur një mënyrë të re për të përsëritur një histori të vjetër, e cila praktikisht i lë tërësisht pa rrënjë demokratët në pushtet, në Shqipëri.

Por kjo nuk ka shumë rëndësi për Berishën. Bojkoti i 14 majit i jep Berishës mundësi të gjënjejë edhe dy vjet të tjera demokratët me betimin për përmbysje të Edi Ramës, me shpresë se ai do të dobësohet deri më 2025, kur Berisha është 81 vjeç. Duke mos marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit, Berisha nuk ka mundësi t’i “zhgënjejë” demokratët si humbës i madh.

Humbja e Berishës më 14 maj do të jetë kombëtare nga Jugu në Veri, dhe do të jetë humbja më e thellë që opozita do të pësojë ndonjëherë në këtë vend në pushtet lokal. Dhe Berisha nuk ka fuqi ta përballojë këtë bilanc.  Plani i tij është më praktik. Ai do ta konsiderojë mos marrjen e vulës nga Gjykata si përjashtim nga zgjedhjet, dhe do vazhdojë thirrjet për revolucion.

KQZ po e ndihmon në këtë aspekt. Celibashi edhe pse është kryetar teknik i KQZ, sillet si president i vendit dhe flet për nevojën e zgjidhjes së konfliktit brenda opozitës, a thua është “pajtues gjaqesh”, duke i dhënë oksigjen Berishës të thotë se po nuk mora vulën, nuk hyj në zgjedhje. Se i vetmi armik real i Berishës, është të provohet në zgjedhje. Dhe ai nuk ka ndërmend të përballet me këtë armik.

Forum alibia Basha ligjore