Kosova24 Janar 2023, 20:09

Ambasada Amerikane në Kosovë konfirmon takimin me liderët politikë: Më 31 janar diskutojmë për Asociacionin

Shkruar nga Pamfleti
Ambasada Amerikane në Kosovë konfirmon takimin me liderët

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka konfirmuar se diskutimi me liderët politik për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, do të mbahet më datë 31 janar.

Ambasada nuk ka dhënë informacion lidhur mbi qëllimet e diskutimit dhe as nëse kryeministri Kurti do të jetë pjesë e takimit, pavarësisht se u tha që ka ftuar liderë politikë.

Më 31 janar, Ambasada e Amerikës do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kemi ftuar drejtues të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë për të diskutuar këtë temë të rëndësishme”, u tha në përgjigjen e Ambasadës amerikane për KosovaPress.

Ndërkohë, mësohet se kryetari i LDK-së, Lumri Abdixhiku, ka pranuar një ftesë të tillë. Por, edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, konfirmoi ftesën dhe pjesëmarrjen.

Ditë më parë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për refuzimin e Kurtit për të themeluar Asociacionin, tha se “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar”.

Ambasada amerikane është shprehur se diskutimi i 31 janarit është në përputhje me angazhimet e tyre dhe në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për angazhimin rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ne po e organizojmë këtë diskutim në përputhje me qëllimin tonë të qëndrueshëm për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe si reflektim i miqësisë sonë të gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”, përfundoi përgjigjja e Ambasadës, për KosovaPress.

Prishtine Ambasada asocacioni Kosove