Ish-kryeministri, Sali Berisha ditën e djeshme është pyetur nga gazetarët pas daljes nga selia blu pse asnjë nga ambasadat e Bashkimit Europian, apo bashkëpunëtorë të huaj nuk i kanë uruar “fitoren” për rikthimin në krye të Partisë Demokratike.
Ndonëse disa ditë më parë e shmangi këtë pyetje, dje Berisha deklaroi se sa herë që është zgjedhur kryetari i PD-së nuk ka pasur asnjë urim nga partia simotër europiane PPE.
“Nuk mbaj mend kur jam zgjedhur herë të tjera të kem pasur ambasador që të më kenë uruar. Unë nuk mbaj mend në memorien time. PPE (partitë si motra të PD-së në Europë) siç e keni marrë vesh ju për momentin mban një qëndrim neutral por zëri ynë në PPE do të jetë i pranishëm,” deklaroi dje Berisha.
Por kjo deklaratë nuk është e vërtetë, pasi në qershor të vitit 2021 kur Lulzim Basha u zgjodh kryetar i PD-së, Partitë Popullore Europiane e kanë uruar Bashën publikisht me anë të një postimi në Twitter.
“Le të vazhdojmë bashkëpunimin tonë, dhe sëbashku të luftojmë për një Shqipëri demokratike dhe Europiane” shkruante PPE në postimin e saj.
Our warm congratulations to @lulzimbasha_al from our Albanian🇦🇱 member party @pdshqiperi for his clear reelection as party chairman. Let us continue strengthened & jointly our fight for a prosperous, #democratic & #European #Albania🇪🇺.
— EPP (@EPP) June 14, 2021
Pra, kjo do të thotë se Berisha, pas SHBA-së që e ka shpallur non grata, edhe europianët nuk e njohin atë si kryetar të PD-së.
Ju rikujtojmë se në Tiranë, ambasada amerikane deri tani ka qëndruar në heshtje, por Sali Berisha është paralajmëruar me kohë se PD-ja nëse do të drejtohet nga ai, SHBA do të ndërprisë marrëdhëniet me selinë blu.
Gjithashtu më 31 maj, Partitë Popullore Europiane (PPE) do të zhvillojnë një takim ku pjesë e axhendës do të jetë edhe kriza brenda Partisë Demokratike në Shqipëri.
PD do të përfaqësohet në këtë mbledhje të rëndësishme të PPE-ve nga Jorida Tabaku, e cila ka marrë ftesën si nënkryetarë e Partisë Demokratike, Albana Vokshi si kryetare e Lidhjes së Gruas së PD-së, po ashtu dhe nga deputeti Belind Këlliçi, si kryetari i Forumit Rinor të PD-së.
Por një detaj tjetër është fakti se nga tre deputetët e ftuar për të qenë pjesë e mbledhjes së Partive Popullore Europiane, vetëm Jorida Tabaku ka të drejtë vote.
Rithemelimi riktheu Sali Berishën në krye të PD-së 9 vite pasi ai ishte dorëhequr nga kjo forcë politike, me zgjedhjet farsë të 22 majit.